Ali Eyvaz
24 Tetor 2017•Përditësim: 24 Tetor 2017
ANKARA (AA) – Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi sot në Ankara se objektivat e operacionit në qytetin Idlib të Sirisë janë përmbushur në masë të konsiderueshme, raporton Anadolu Agency (AA).
“Objektivat e operacionit në Idlib në masë të madhe janë përmbushur. Në periudhën e ardhshme para nesh është tema e Afrinit. Këtu nuk do të bëjmë asnjë lëshim”, porositi Erdoğan në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP).
Në kuadër të operacionit, në përputhje me marrëveshjet e arritura në bisedimet e paqes në Astana, Kazakistan, trupat turke kishin për detyrë ndjekjen e armëpushimit dhe vendosjen e një sërë pikash vëzhgimi përgjatë vijës ndërmjet zonave siriane të Idlibit dhe Afrin.
Pas kalimit të kufirit, trupat turke u vendosën fillimisht pranë Afrinit, që ndodhet përgjatë kufirit turk dhe aktualisht mbahet nga organizata terroriste PKK/PYD.
Vendosja e trupave turke në Idlib ndodhi në përputhje me marrëveshjet e arritura në Astana nga tre shtetet garantuese: Turqia, Rusia dhe Irani.
Gjatë vendosjes, trupat turke pritet të krijojnë më shumë se dhjetë pika të vëzhgimit në Idlib.
Teksa ushtria turke është ngarkuar me vendosjen e posteve të vëzhgimit në pjesën qendrore të Idlibit, Rusia ka për detyrë të bëjë të njëjtën gjë edhe në zonat e përreth.
Ndërkaq, lidhur tensionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Erdoğan foli mbi posterin e kreut terrorist të PKK-së, Abdullah Ocalan, që u shpalos javën e kaluar në Rakka të Sirisë, pas rimarrjes nga organizata terroriste DEASH.
Pas incidentit, Ambasada e SHBA-ve dënoi ngritjen e posterit, duke shtuar se Ocalan "nuk është i denjë për respekt".
SHBA-të kanë mbështetur PYD-në, e cila me disa grupe të tjera veprojnë nën emrin Forcat Demokratike Siriane (FDS), ndërsa e konsiderojnë FDS-në si një "partner të besueshëm" në luftën e saj kundër DEASH-it dhe kanë vazhduar ta mbështesin me armë dhe pajisje, edhe përkundër kundërshtimeve të forta nga Turqia.
Duke e cilësuar deklaratën e ambasadës si një përpjekje për të mbuluar gabimet e SHBA-ve, Erdoğan tha: "Çfarë lloj deklarate është kjo? A i ngjan kjo një vendi si ju, që cilësohet si djepi i demokracisë?"
Erdoğan gjithashtu kritikoi SHBA-të për lëshimin e urdhër-arresteve për rojet e tij të sigurisë gjatë një incidenti në muajin maj kur vizitoi Washingtonin.
"Ju jeni mjaft të fortë sa për të lëshuar urdhër-arreste për 13 rojet e mia të sigurisë, shumica e të cilëve kurrë nuk e kanë parë Amerikën më parë", tha Erdoğan.