Mümin Altaş,Sarp Özer
22 Gusht 2016•Përditësim: 22 Gusht 2016
ANKARA (AA) – Nesër në Residencën Çankaya do të mblidhet Këshilli i Lartë Ushtarak i Turqisë nën drejtimin e kryeministrit Binali Yıldırım, raporton Anadolu Agency (AA).
Këshilli i Lartë Ushtarak, i cili po pëson ndryshime me aktvendimin ligjor të publikuar në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik, do të përbëhet nga kryeministri, Kryetari i Shtatmadhorisë, zëvendëskryeministrat, ministri i Drejtësisë, ministri i Punëve të Brendshme dhe ministri i Mbrojtjes Kombëtare.
Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, i cili javën e kaluar ishte ftuar në panelin editorial të Anadolu Agency, ishte shprehur se synojnë që brenda muajit gusht ta mbledhin Këshillin e Lartë Ushtarak, ku me theks të veçantë do të diskutohen tema në lidhje me kolonelët për të cilët është parë si e përshtatshme t’u vazhdohet kohëzgjatja e detyrës.
Ndryshe, mbledhja e cilësuar “shumë e fshehtë” që para tentativës për grusht shteti mbahej në “Sallonin Çakmak” në selinë e Shtatmadhorisë, për herë të parë jashtë selisë u mblodh më 28 korrik në Rezidencën Çankaya nën drejtimin e Kryeministrit Yıldırım, ku krahas ngritjeve në detyrë dhe emërimeve, u diskutua me të gjitha hollësitë edhe tentativa për grusht shteti nga Organizata Terroriste FETO.