Selen Temizer,Burak Karacaoğlu,Eşref Musa,Adham Kako
27 qershor 2019•Përditësim: 28 qershor 2019
SELEN TEMİZER
Nur Hatib, e cila për 9 muaj është dëshmitare e torturave të kryera në burgjet e regjimit të Bashar al Asadit, është shprehur se nuk ka mundur t’i harrojë ditët e kaluara në qelitë në të cilat të burgosurit para saj kishin shkruar mesazhe të ndryshme me gjak dhe me gërvishtje të thonjve, raporton Anadolu Agency (AA).
Përgjegjëse për dosjen e të burgosurve të Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR), Nur Hatib, po punon me ish-të burgosurit të cilët regjimi i Bashar al-Asadit, i ka torturuar duke i mbajtur të arrestuar nëpër burgje dhe në njësitë e inteligjencës.
Pasi edhe vetë është një ish-e burgosur, Hatib është e përkushtuar për të mbështetur këta njerëz dhe për të dokumentuar shkeljet e të drejtave të regjimit. Ajo ka qëndruar e burgosur për 9 muaj pasi u arrestua sepse ndihmoi të plagosurit në protestat e filluara kundër regjimit kur ishte ende në moshën 19-vjeçare.
Hatib që prej 6 muajsh jeton në Turqi me dy fëmijët dhe bashkëshortin e saj i cili edhe ai si ajo është punonjës i SNHR, ajo vazhdon arsimimin në Institutin e Drejtësisë në Universitetin Karabük.
“Kisha shumë frikë nga torturat, preferoja vdekjen”
Në lidhje me përjetimet e saj, Hatib ka shpjeguar për gazetarin e AA-së se "Forcat e sigurisë së regjimit më kapën pasi kishin ngritur kurth më 3 prill 2012 në lagjen Selahaddin të Halepit (Alepo). Kishim ngritur spitalet tendë për të siguruar mjekimin dhe sigurinë e protestuesve të plagosur gjatë protestave. Ndodhesha në kërkim prej disa muajsh, ku dhe pas 2-3 tentativave u kapa dhe u dërgova në degën e sigurisë në Hama".
Ajo tha se prej 4 ditësh qëndroi në qeli e vetme, duke mos u nxjerrë asnjëherë jashtë saj dhe vazhdoi më tej: "Ditët më të vështira të burgosjes time 9 mujore i kam kaluar këtu. Kisha dëgjuar historitë e atyre që kishin qëndruar më parë këtu, dhe për këtë arsye frikësohesha. Preferoja vdekjen. Ndodhesha në një hapësirë prej 1 metër katrorë në errësirë. Në qeli hynte drita vetëm kur hapej dritarja për të më dhënë ushqimin një herë në ditë. Shkrimet nëpër mure i shikoja në ato momente. Shkrime që dikush i kishte shkruar me gjak, dikush duke i gërvishtur me thonj".
“Në mur shkruhej me gjak ‘Nënë më mungon shumë’, ishin shkruar ajete kuranore, mesazhe për durim si dhe emra. Mendoj se i kishin shkruar me mendimin që nëse i shikonte dikush të lajmëronte familjet e tyre”, ka deklaruar ndër të tjera Hatib e cila ka theksuar se "Jam goditur. Gjatë marrjes në pyetje pranë më qëndronte një ‘bandit’ (Shebiha - term për njësinë milicore të armatosur jo-zyrtare të regjimit të Asadit, të cilët nuk japin llogari për veprimet që bëjnë). Detyra e tij ishte që kur refuzoja të më godiste".
Hatib tha se “Nuk më harrohet momenti ku një i ri po torturohej në korridor një natë, të cilit kokën ia përplasnin në derën e qelisë time. Ishte errësirë dhe dëgjoheshin zërat nga torturat”.
Duke vënë theksin se tortura në degën e sigurisë kryheshin nëpër korridore, Hatib tha se "të burgosurit e torturuar merreshin në pyetje, dhe nëse refuzonin akuzat ata dërgoheshin sërish në torturë. Nuk kishte dallim nëse i kishe kryer apo jo krimet që të akuzonin, sepse nuk kishe alternativë tjetër përveçse ti pranoje. Në duar ata mbanin dosjen tënde të përgatitur. Atyre nuk i interesonte se çfarë mund të flisje. Shqetësimi i tyre i vetëm ishte të mësonin emrat e të tjerëve prej jush".
Ditët në "njësinë e vdekjes" numër 215
Pas një periudhe 10 ditore i kanë dërguar në Damask me një automjet, tha Hatib e cila ka shpjeguar më tej se "Bashkë e një grup të mbledhur me kokën mes këmbëve na dërguan në Damask. Rruga zgjati 7 orë dhe mbërritëm në njësinë e sigurisë numër 215 në rajonin Kafar Souseh. Ishte një vend i madh, drejtori me emrin Shershebil një person shumë i ulët. 215-ta ishte njësia e vdekjes. Këtu kam qëndruar rreth 2 muaj. Ndodheshim pranë dhomës së torturave dhe zërat dëgjoheshin sërish. Pas 25 ditësh shikova një vajzë që ndodhej në mjet kur erdhëm o shokova kur e pashë, nuk njihej. Torturuesit nuk kishin asnjë mëshirë, nuk kishte asnjë dallim për ta grua, mashkull apo fëmijë. Personat e trajnuar i torturonin edhe më shumë”.
Duke vënë në dukje se pas 60 ditëve dolën nga njësia 215 dhe u dërguan në gjykatën ushtarake Hatib tha se "Më pas na dërguan në burgun e Homsit. Edhe aty ishte shumë e vështirë, pasi nuk kishte qeli të ndara, na vendosën në qeli me kriminelë të vërtetë, në një vend me trafikues të femrave dhe përdorues të lëndëve narkotike. Ishte i tejmbushur saqë kishte nga ata që qëndronin nëpër korridore".
"Me hyrjen e foshnjës në qeli hyri dritë"
Në lidhje me torturat ndaj grave që ajo është dëshmitare, Hatib është shprehur se "Një grua për shkak të torturave po përjetonte probleme psikologjike. Kjo grua më ka shpjeguar në mënyra shumë të ndryshme se ishte përdhunuar disa herë. Nuk mund ta kuptoja më se cila ishte e vërteta. Shenjat e torturës ndodheshin në çdo pjesë të trupit të saj. Këtë grua e ksihin torturuar më shumë për shkak se ishte bashkëshortja e një aktivisti. Qëndroi me ne për një muaj, ku dhe humbi plotësisht vetëdijen".
Ndërsa një grua tjetër para se të arrestohej ishte përdhunuar në pikën ushtarake të kontrollit në afërsi të shtëpisë së saj dhe më pas ishte arrestuar me arsyetimin se kishte kryer bashkëpunim me terroristët. Ajo kishte një vajzë 15 vjeçare të cilën pasi e kishin arrestuar edhe ajo ka qenë pre e përdhunimit. “Kur vajza erdhi në burg qëndroi për tre ditë në derë, ku nuk kishte asnjë ide se përse ndodhej aty” ka shpjeguar gjithashtu Hatib.
Ndër të tjera Hatib ka treguar edhe një histori tjetër ku në qelinë e burgut mbërriti një grua shtatzënë e cila lindi.
Në lidhje me këtë Hatib tha se "Nga autoritetet kërkuam që të thërrisnin një ambulancë ditën që gruaja do të kryente lindjen. Pas një vonese prej dy orëve e morën të vetme gruan dhe e dërguan në spitalin ushtarak dhe pas lindjes na sollën foshnjën e mbështjellë me një copë. Me hyrjen e foshnjës në qeli hyri dhe drita. Ne u bëmë të gjitha nënë për të. I qepëm veshje duke prerë nga rrobat tona".
Në shpjegimin e saj Hatib tha se pas një periudhe 9 mujore u dha vendimi për lirimin e saj pas dhënies së një ryshfeti. Ndërkohë që sapo doli nga burgu pa u takuar as me familjarët që e prisnin ajo u arrestua sërish në sy të tyre nga një njësi tjetër. Pas qëndrimit për tre ditë në degën e sigurisë ajrore ajo u lirua.