Güç Gönel
10 Korrik 2017•Përditësim: 10 Korrik 2017
STAMBOLL (AA) - Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, tha sot se një nga dimensionet e rëndësishme të sigurisë energjetike është zgjidhja e problemeve dhe arritja e paqes në shtetet me burime energjetike dhe ato tranzitore, duke shtuar se lufta e vendosur kundër terrorit dhe bashkëpunimi në këtë drejtim janë domosdoshmëri për sigurinë energjetike, raporton Anadolu Agency (AA).
"Një nga dimensionet e rëndësishme të nocionit siguri energjetikë është edhe zgjidhja e problemeve politike dhe arritja e paqes në shtetet burimore të energjisë dhe ato tranzitore. Në këtë drejtim, lufta efikase dhe e vazhdueshme kundër rreziqeve si terrori është domosdoshmëri. Lufta kundër një organizate terroriste nuk mund të realizohet duke përdorur një organizatë tjetër," tha Yıldırım duke folur në Kongresin e 22-të Botëror të Naftës, në të cilin AA është partneri global i komunikimit.
"Ne duhet të jemi të kujdesshëm të mos i hapim rrugë problemeve të reja duke zgjidhur probleme. Siguria energjetike mund të arrihet vetëm së bashku dhe duke luftuar në mënyrë të vendosur", porositi Yıldırım.
Ai shtoi se Turqia gjithnjë ka vendosur në planë të parë parimin "fito fito" përmes bashkëpunimit me rajonin dhe fqinjët.
"Sipas nesh, energjia nuk duhet të jetë sferë përçarjesh, por sferë e bashkëpunimit. Ne nuk e shfaqim këtë qëndrim vetëm në fjalë, por edhe në vepra. Argument më i mirë për këtë janë projektet që ne i kemi realizuar në të kaluarën në fushën e energjisë dhe projekttet që parashohim t'i përfundojmë", theksoi Yıldırım.
Kryeministri turk e nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke thënë se efikasitetin e këtij bashkëpunimi më së miri e ka treguar gazsjellësi Baku-Tbilis-Ceyhan dhe Baku-Tbilis-Erzurum dhe se këtë bashkëpunim tani do të kurorëzohet përmes Projektit të Gazsjellësit të Trans-Anatolian (TANAP).
"Me hyrjen në funksion të TANAP-it vitin në vijim, Turqia çdo vit do të marrë edhe gjashtë miliardë metra kub shtesë gaz natyror nga Azerbajxhani çdo vit. Po ashtu, nga viti 2020, nga kjo linjë në Evropë do të transportohen dhjetë miliardë metra kub gaz. Më pas, ky gaz do të mund të shkojë edhe në vende konsumuese në Evropë përmes Gazsjellësit Trans-Adriatik, i cili është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit", tha Yıldırım, duke theksuar më tej se përmes këtyre dhe projekteve të tjera, siç është edhe "Rrjedha Turke" në bashkëpunim me Rusinë, Turqia po bëhet një urë e së ardhmes së energjisë.