Bekim Laci
28 Maj 2016•Përditësim: 29 Maj 2016
SHKUP (AA) - Qendra për trajnimin e pilotëve, njëra nga qendrat më moderne të këtij lloji në Evropë, sot në kazermën ushtarake në Petrovec u mundësoi të rinjve të interesuar për tu bërë pilotët e ardhshëm në Armatën e Republikës së Maqedonisë të njihen me kapacitetet dhe të shohin nga afër mjetet fluturuese në të cilat kryhet trajnimi, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Kjo është një mundësi e shkëlqyer të përjetojnë së paku një pjesë të asaj se çfarë do të thotë të jesh pilot i trajnuar sipas metodave më bashkëkohore dhe sipas kushteve të larta në një qendër moderne dhe të avancuar nga aspekti teknologjik”, u tha të pranishmëve këshilltarja shtetërore në Ministrinë e Mbrojtjes, Maja Stojanovska. Sipas saj ata kanë për detyrë të përzgjedhin kandidatët më të mirë të cilët duhet të jenë njerëz të ndershëm, të cilët do të përballen me të gjitha sfidat e këtij profesioni.
Drejtor i Qendrës, Jaari Schrage, duke shtuar se një nga kriteret kryesore për të qenë pilot është motivimi i kandidatëve dhe entuziazmi i tyre, foli për hapat e ardhshëm në procesin e përzgjedhjes.
"Dita e fundit e regjistrimit është 30 qershori, ku më pas fillon seleksionimi, kontrollet mjekësore dhe fizike, aftësitë në gjuhën angleze, për të vazhduar më pas me trajnimin të specializuar që zgjat 18 muaj", informoi Schrage.
Përveç qendrës trajnuese, të pranishmit vizituan edhe helikopterët Mi-8/17 dhe Mi-24 që janë pjesë e Flotës Ajrore të Armatës së Republikës së Maqedonisë.