Sibel Vezaj
21 Mars 2018•Përditësim: 21 Mars 2018
PRISHTINË (AA) - Zëvendës kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, në Bruksel ka zhvilluar një takim me Komisionerin për Punë të Brendshme të Bashkimit Evropian (BE), Dimitris Avramopoulos, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë nga MPJ thuhet se gjatë këtij takimi Avramopoulos ka thënë se, “Po presim lajme të mira që të hapim dyert për liberalizimin e vizave për Kosovën. Do të isha njeriu më i lumtur nëse do vendosja nënshkrimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën”.
MPJ bën të ditur se gjatë këtij takimi është diskutuar situata në Parlamentin e Kosovës.
“Jeni në një mjedis miqësor dhe ju e dini disponimin tim për Kosovën. Kosova është në qendër të Ballkanit dhe ne nuk duam një riballkanizim të rajonit, por duam që Kosova të jetë flamur i integrimit evropian”, ka thënë Avramopoulos.
“Luftoni dukuritë negative, korrupsionin, elementet që stigmatizojnë negativisht vendin tuaj, dhe mezi pres të hap dyert e mundësive në institucionet evropiane, ndonëse situata nuk është më e mira”, ka thënë më tej komisioneri Avramopoulos.
Ndërsa ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, nga ana e tij tha se “pas tre vitesh bllokimi, Kosova pritet ta votojë demarkacionin me Malin e Zi”.
“Do të doja t’ju ftoja ta festonim lajmin së bashku me të rinjtë e vendit tim. Kushtet e BE-së për Kosovën nuk janë për interesin tuaj, por për të mirën tonë dhe unë jam mbështetës i madh i integrimit evropian. Si vende të vogla ne nuk mund të mbijetojmë në botën e sotme”, ka thënë ministri Pacolli.
Kujtojmë se marrëveshja për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, së bashku me luftën kundër korrupsionit, janë kushte për liberalizimin e vizave për kosovarët.