Figen Shaban
21 Mars 2018•Përditësim: 21 Mars 2018
PRISHTINË (AA) - Policia e Kosovës, njofton se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për hetimin dhe verifikimin e mjeteve të dyshuara lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës ku pritej të votohet Projektligji për kufirin shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi , transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë nga Policia e Kosovës thuhet se zyrtarët policorë kanë aplikuar masën e kontrollit policor në hyrjet e Kuvendit, mirëpo nuk kanë hasur në ndonjë mjet të dyshuar gjatë hyrjes së personaliteteve në Kuvend.
"Policia e Kosovës në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për hetimin dhe verifikimin e mjeteve të dyshuara. Bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore që ka, Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e saj hetimore drejt zbulimit se si është futur mjeti i dyshuar në sallën e Kuvendit të Kosovës, si dhe çdo gjë tjetër rreth hedhjes së gazit lotsjellës", thuhet në komunikatë.
Policia e Kosovës bën të ditur poashtu se është duke bashkëpunuar dhe koordinuar me Prokurorinë e Shtetit, për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme pasuese në raport me deputetët të cilët kanë hedhur gazin lotsjellës.
"Vlen të potencohet se të gjitha veprimet policore janë realizuar konform autorizimeve ligjore, ndërsa për të ndërhyrë brenda në seancën parlamentare kërkohet vendimi dhe kërkesa e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sigurojmë qytetarët dhe opinionin e gjerë se veprimet individuale të deputetëve nuk kanë asnjë lidhshmëri me zyrtarët policorë që janë në kryerje të detyrës", thuhet më tej në komunikatë.
Kujtojmë se gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës disa herë u hodh gaz lotsjellës nga deputetët e partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.