Figen Shaban
26 Prill 2017•Përditësim: 27 Prill 2017
PRISHTINË (AA) - Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës me një konferencë shënoi 26 prillin, Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale në Kosovë me temën “Të arriturat dhe sfidat“, raporton Andolu Agency (AA).
Kosova pritet të anëtarësohet në Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale, ku bëjnë pjesë 188 shtete, ndërsa motoja për shënimin e kësaj ditë në Kosovë ishte “Inovacioni përmirëson jetën”.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë(MTI), Hykmete Bajrami, gjatë fjalimit të saj në konferencë tha se MTI është duke punuar për ngritjen e kapaciteteve të Agjencisë për Pronësi Industriale e cila ka prioritet mbrojtjen e patentave dhe markave tregtare. Bajrami theksoi se përdorimi i pa autorizuar i markës tregtare, prodhimi, eksportimi, shitja e patentave pa licence, falsifikimi i produkteve, piratëria janë preokupim i qytetarëve dhe komunitetit të biznesit në Kosovë.
“Markat tregtare, patentat industriale janë premtimi që prodhuesi i bën konsumatorit për cilësinë e produktit, për origjinalitetin e produktit dhe zotimi që e ka ai karshi produktit dhe shërbimit që e ofron tek konsumatori. Keqpërdorimi i tyre do të thotë degradim i të gjitha këtyre premtimeve. Sepse nuk mund të ketë premtime të njëjta nga dy prodhues të ndryshëm. Ne jemi përgjegjës para ligjit dhe para institucionit që të mbrojmë prodhuesit të cilët dëshirojnë që të ofrojnë kualitetin dhe të ofrojnë produkte origjinale tek konsumatorët e tyre”, tha Bajrami.
Zëvendësshefi për bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Libor Chlad gjatë fjalimit të tij duke theksuar se duhet të krijohet stimulimi për kompanitë që investojnë në ofrimin e mallrave dhe shërbimeve me standarde të cilat rrisin kualitetin, tha se duhet siguri që ato mallra të kenë sukses në tregun e përbashkët evropian.
“Në ekonominë evropiane 33 sektorë konsiderohen intensive sa i përket të drejtës së autorit dhe ato kanë krijuar 7 milion vende pune apo 3 për qind të tërë punësimit në BE. Dhe kjo tregon të drejtën e autorit. BE-ja ka qenë udhëheqëse në harmonizimin e mbrojtjes së atyre që kanë të drejtën e autorit, e kostove të transaksioneve dhe në ofrimin e zgjidhjeve për ata që përdorin përmbajtjen e tyre. Në kontekstin konkret të Kosovës është krijuar korniza me MSA-në. Kosova mes tjerash është zotuar që të krijoj një kornizë ligjore ekuivalente me atë të BE-së”, tha Chlad.
Drejtori i zbatimit të ligjit në Doganat e Kosovës, Blerim Krasniqi tha se roli i Doganës së Kosovës sa i përket mbrojtjes së pronës intelektuale dhe industriale ka filluar të forcohet pasi që janë dhënë edhe kompetencat ekzekutive me legjislacionin në fuqi për këtë çështje. Ai po ashtu bëri të ditur se aplikimet për mbrojtjen e të drejtave industriale dhe intelektuale kanë shënuar rritje, me 121 aplikime të aprovuara për 461 marka tregtare dhe 34 vepra të autorëve.
“Dogana e Kosovës nga viti në vit ka filluar të shënojë rezultate. Është interesant të përmendet edhe një shifër, ku nga 2010-2015 ne kemi ndaluar 3.5 milionë mallra, në vlerë prej 11 milion euro”, tha Krasniqi.