Sibel Vezaj
16 Shtator 2016•Përditësim: 16 Shtator 2016
PRISHTINË (AA) - Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale – STRAS sot mbajti një konferencë me temën “Një vit i reformës fiskale”, në të cilën u prezantuan efektet e pakos fiskale, një vit pas aplikimit të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencë të pranishëm ishin ministri i Financave Avdullah Hoti, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Muhamet Mustafa, si dhe përfaqësues nga Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, nga komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile.
Në fjalimin e tij, ministri Hoti u shpreh se tani ka përfunduar pjesa e parë e reformës fiskale dhe se së shpejti do të fillojë pjesa e dytë e kësaj reforme. Duke theksuar se për këtë reformë kanë pasur edhe komplimente por edhe kritika, Hoti theksoi se kritika më e madhe ka qëndruar në mendimin se rritja e të hyrave buxhetore është rezultat i ndryshimit të normave tatimore.
“Rritja e të hyrave buxhetore dhe aktiviteti biznesor në vend si rezultat i kësaj pako fiskale, nuk vijnë nga ndryshimi i normave tatimore, përkundrazi rritja e të hyrave që ne kemi pasur me 17-20 përqind nga shtatori i vitit të kaluar deri në dhjetor dhe 8 muajt e parë të këtij viti janë rezultat i aktivitetit të shtuar ekonomik që ka ndodhur në vend dhe nuk qëndron në asnjë argument i bazuar në shifra që tregojnë rritjen e të hyrave buxhetore si rezultat i ndryshimit të normave tatimore”, tha Hoti.
Kurse ministrja Bajrami tha se përveç reformës fiskale janë bërë edhe shumë hapa në përmirësimin e ambientit të biznesit, si dhe në rregullimin ligjor dhe harmonizimin e ligjeve me ato të Bashkësisë Evropiane.
“Efektet e reformës fiskale nuk mund t’i shohim në termat e përmirësimit të numrave të papunësisë ose në termat e përmirësimit të kualitetit të jetës së qytetarëve për shkak se është vetëm një vit nga aplikimi dhe statistikat luajnë. Por ajo çfarë duhet të evidentohet është që kemi pasur një mbështetje të madhe të bizneseve dhe për herë të parë ky mandat qeverisës ka barazuar tregtarët me prodhuesit", tha Bajrami.
Ajo bëri të ditur se në vitin 2016 për 9 mujorin e parë janë 437 kompani me pronarë të huaj, kurse në vitin 2015 për gjithë vitin ishin vetëm 325 kompani të tilla. Ajo shtoi se në vitin e kaluar ishin 10 mijë biznese të regjistruara, kurse për këtë vit deri më tani janë 8 mijë biznese.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Muhamet Mustafa u shpreh se Kosova, për nivelin e zhvillimit të saj, ka investime të pakta.
Sa i përket rritjes ekonomike në vend, Mustafa u shpreh se “Në vitin 2014 ka patur 1.2 përqind rritje, vitin e kaluar 3.6 përqind kurse sivjet pritet që ajo të jetë rreth apo mbi 4 përqind. Nga kjo mund të nxirret se ka filluar të konsulidohet një trend i rritjes për këto 2 vite të fundit, mirëpo ky trend ende nuk është trendi i cili do të na garantonte që të fillojmë ta ulim në mënyrë më të ndjeshme papunësinë dhe varfërinë në vend”.