Agim Sulaj
07 janar 2024•Përditësim: 08 janar 2024
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka mirëpritur vendimet e Kosovës dhe Serbisë për t’i njohur tabelat e automjeteve të njëra-tjetrës dhe për ta shfuqizuar tërësisht vendosjen e letrave ngjitëse në tabela, transmeton Anadolu.
Në një komunikatë për media, Borrell ka thënë se ky vendim është hap pozitiv drejt zbatimit të Marrëveshjes së normalizimit mes dy vendeve.
Po ashtu Borrell ka thënë se kjo është dëshmi se është e mundur arritja e përparimit drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Vendimi është hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes në Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të zotimeve të kaluara nga dialogu të lidhura me lirinë e lëvizjes. Dëshmon se është e mundur arritja e përparimit në avancimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe thekson rëndësinë e vazhdimit të punës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Kjo po ashtu përbën një hap në drejtimin e duhur drejt integrimit më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga çfarë përfundimisht përfitojnë qytetarët e rajonit”, thuhet në deklaratën e Borrellit.
Serbia në fund të vitit 2023 kishte marrë vendim që nga 1 janari i vitit 2024 të lejohet hyrja e veturave me tabela “RKS”, pa pasur nevojë të vendosen letra ngjitëse, ndërsa vendim reciprok mori edhe Qeveria e Kosovës më 4 janar 2024.
Tash e dy vjet simbolet e Serbisë dhe të Kosovës për tabela automjetesh janë mbuluar me letra ngjitëse të bardha, veprim për të cilën palët arritën marrëveshje në fund të shtatorit të vitit 2021.