Furkan Abdula
07 janar 2024•Përditësim: 08 janar 2024
Të krishterët ortodoksë në Maqedoninë e Veriut sot festojnë një nga dy festat më të mëdha, Krishtlindjet, raporton Anadolu.
Në të gjitha kishat e Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) sot paradite u mbajtën liturgjitë e Krishtlindjeve, kurse kremtimi qendror u mbajt në Katedralen “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, ku shërbesën e mbajti kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, z.z. Stefan.
Kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, me rastin e Krishtlindjeve, së bashku me Sinodin e Shenjtë të Peshkopëve të Kishës Ortodokse Maqedonase - Kryedioqeza e Ohrit, dërguan mesazh të Krishtlindjeve drejtuar priftërinjve, murgjve dhe të gjithë besimtarëve, në të cilin uroi paqe dhe bekime.
Pas liturgjisë së Krishtlindjes, u lexua mesazhi i kryepeshkopit Stefan.
Në mesin e të pranishmëve, përveç një numri të madh të qytetarëve, kishte edhe zyrtarë të lartë, si ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, dhe kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.