Agim Sulaj
27 Janar 2025•Përditësim: 28 Janar 2025
Në Prishtinë është shënuar Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, raporton Anadolu.
Nën një organizim të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), në shënimin e kësaj dite, u fol mbi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave personale në kohën e transformimit digjital.
Komisionerja e AIP-së, Krenare Sogojeva-Dermaku tha se derisa inteligjenca artificiale po transformon botën me një ritëm të paparë duke ndikuar në aspektet e shumta të jetës, shoqëria duhet të ndërgjegjësohet për nevojën e edukimit me inteligjencën artificiale dhe ndikimin e saj afatgjatë që do të ketë.
"Përfshirja e vendit tonë, si të gjitha vendet e tjera në botë, kërkon një qasje që përafron inovacionin, por që mbron edhe interesin e qytetarëve, në veçanti, privatësinë e individit", theksoi Sogojeva.
Arbian Arifi, ushtrues detyre i drejtorit në Departamentin për Mbrojtjen e të Dhënave në AIP, tha se mbrojtja e të dhënave personale të qytetarëve është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës.
Por, sipas tij, kompanitë në Kosovë, madje edhe ato që kanë qarkullime milionëshe, nuk investojnë në stafin e tyre për mbrojtjen e të dhënave.
"Në rastet që kemi trajtuar ne, kemi parë që shumica e institucioneve, qoftë publike apo private, nuk kanë një rregullore të brendshme sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale. Nuk kanë një rregullore për atë se si do ta trajtojnë një sulm që mund t'u vijë nga jashtë", theksoi Arifi.
Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka origjinën në miratimin e konventës 108 në Këshillin e Evropës nga viti 1981 e cila është marrë si një standard ndërkombëtar për mbrojtjen e të dhënave.
Konventa thekson se çdo individ ka të drejtë të mbrojë të dhënat personale dhe këto të dhëna nuk mund të përdoren pa respektuar parimet themelore të mbrojtjes së tyre.