Agim Sulaj
04 gusht 2026•Përditësim: 04 gusht 2026
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe kryeshefi i Ndërmarrjes Publike "Ibër Lepenci", Faruk Mujka, vizitoi hidrocentralin e Ujmanit në komunën e Zubin Potokut, transmeton Anadolu.
Zyra e Kryeministrit nëpërmjet një njoftimi për media ka bërë të ditur se Kurti theksoi se "ndonëse rëndësia e Ibër Lepencit është te furnizimi me ujë për industrinë, bujqësinë dhe ujësjellësin për amvisërinë, hidrocentrali është jetik për qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes".
Kurti theksoi se nga viti 2022 ndërmarrja në vazhdimësi ka dal në fitim financiar.
"Në vitin 2025 Ndërmarrja ka arritur 12,8 milionë euro qarkullim, fitimi neto pas heqjes së zhvlerësimit ishte 1,76 milion euro. Duhet theksuar që ndërmarrja ka dal me fitim financiar në vazhdimësi që nga viti 2022. Për herë të parë kjo pas luftës së fundit", tha kryeministri në detyrë Kurti.
Tutje ai tha se në katërvjeçarin 2022-2025, ndërmarrja ka shënuar fitim rreth 4,3 milionë euro, ndërkaq në katërvjeçarin paraprak, 2018-2021, ka pasur 13,8 milionë euro humbje.
"Pra, nga 13,8 milionë euro humbje në katërvjeçarin para qeverisjes sonë, në katërvjeçarin e qeverisjes sonë është kaluar në 4,3 milionë euro fitim", shtoi Kurti.