Dzihat Aliju
27 Mars 2020•Përditësim: 28 Mars 2020
Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut, njoftoi se në vend janë regjistruar 18 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19), me çka numri i të prekurve ka arritur në 219, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e publikuar nga Ministria thuhet se rastet e reja janë regjistruar në Shkup (11), Prilep (4), Kumanovë (2) dhe Tetovë (1).
Përpos këtyre qyteteve, më herët raste janë raportuar edhe nga qytetet e Velesit, Kavadarit, Shtipit, Dibrës, Ohrit dhe Gostivarit.
Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar disa masa për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke përfshirë edhe orë policore në të gjithë territorin e vendit nga ora 21:00 deri në ora 05:00. Sipas masave të fundit, ora policore gjatë ditëve të fundjavës do të jetë nga ora 16:00 deri në ora 05:00.
Më 18 mars, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin, me qëllim lehtësimin e luftës kundër përhapjes së koronavirusit.