Fatjon Cuka
14 Tetor 2022•Përditësim: 17 Tetor 2022
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka pritur në një takim Presidenten e Senatit të Belgjikës, Stephanie D’Hose, si edhe delegacionin e Senatit që e shoqëron gjatë vizitës në Shqipëri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë, thuhet se gjatë takimit Nikolla nënvizoi se “Shqipëria dhe Belgjika kanë një bashkëpunim të shkëlqyer politik, si partnere të ngushta në NATO e OKB dhe kontributet për ruajtjen e paqes, sigurisë në Evropë e më gjerë".
Nikolla ka theksuar se Belgjika ka mbështetur zhvillimin, demokratizimin dhe procesin e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë.
"Shpreh gjithashtu mirënjohjen edhe për mbështetjen e pavarësisë dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës. Marrëveshjet e shumta mes Shqipërisë dhe Belgjikës po kontribuojnë në zgjerimin dhe konkretizimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si në mbrojtjen shoqërore, shëndetësinë, pensionet, drejtësinë, sigurinë, bashkëpunimin policor etj. Shqipëria mirëpret investimet belge dhe ofron një klimë favorizuese e lehtësuese edhe në fusha të tjera të zhvillimit si energjia, turizmi, zhvillimi i qëndrueshëm, minierat dhe bujqësia", ka shtuar Nikolla.
Kreyparlamentarja e Shqipërisë ka deklaruar se bashkëpunimi parlamentar mes dy vendeve do të nxisë bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat.
Sipas njoftimit, Presidentja e Senatit të Belgjikës, nënvizoi se po realizojnë vizitën për të fuqizuar bashkëpunimin parlamentar mes dy vendeve dhe rritjen e nivelit të shkëmbimeve mes Senatit të Belgjikës dhe Kuvendit të Shqipërisë.
"Shqipëria ka bërë përparime të mëdha e të dukshme dhe kjo u reflektua edhe në vendimin për çeljen e negociatave, për të cilat Belgjika ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fortë", ka theksuar D’Hose.