Fatjon Cuka
14 Tetor 2022•Përditësim: 14 Tetor 2022
Dhjetëra pedagogë të universiteteve publike të Shqipërisë kanë protestuar sot me kërkesën për rritje të pagave të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta me moton "Arsim cilësor-paga dinjitoze", është organizuar në sheshin "Nënë Tereza", pranë Akademisë së Arteve të Shqipërisë në Tiranë, ku pedagogët dhe punonjësit e tjerë të universiteteve kanë kërkuar rritje të pagave dhe realizimin e disa kërkesa të tjera të bëra nga ana e tyre drejtuar institucioneve.
Kërkesat e pedagogëve janë që të rriten pagat duke filluar nga 30 për qind, pasi sipas tyre, nuk janë në përputhje me tregun e punës, rritje të financimit për kërkimin shkencor, transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike dhe kërkesa tjera.
Protesta është mbajtur në prag të fillimit të vitit të ri akademik, që është caktuar të fillojë më 17 tetor, ndërkohë pedagogët protestues kanë theksuar se do të marrin një vendim në lidhje me vazhdimin e protestave.
Kujtojmë se përfaqësues të Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë kanë realizuar më parë takime me drejtues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, mbi kërkesat e tyre, por pa arritur në ndonjë marrëveshje përfundimtare.
Në lidhje me këtë çështje, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka deklaruar se "do të vazhdojmë dialogun për politikën e pagave jo vetëm me ta (pedagogët), por edhe me rektorët e universiteteve dhe grupet e interesit".
Disa ditë më parë, Qeveria e Shqipërisë vendosi që pagat e pedagogëve të rriten deri në 15 për qind, ku 7 për qind do të mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërkohë që pjesa tjetër do të paguhet nga universitetet në varësi të të ardhurave të tyre.
Por ky vendim u kundërshtua nga një pjesë e pedagogëve të universiteteve publike, të cilët paralajmëruan protesta.