Agim Sulaj
18 Qershor 2019•Përditësim: 19 Qershor 2019
Në kuadër të shënimit Ditës Botërore të Refugjatëve, Agjencia e OKB-së për Refugjatë UNHCR në Kosovë ka organizuar dialog të hapur me qëllim ngritjen e vetëdijes për gjendjen e refugjatëve në botë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë tryezë ku pati dhjetëra pjesëmarrës nga sfera të ndryshme që prekin çështjen e refugjatëve, u diskutua edhe Marrëveshja Globale për Refugjatët dhe Objektivat e OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm.
Shefi i Misionit të UNHCR-së në Kosovë, Erol Arduç, tha se Marrëveshja Globale për Refugjatët e vitit 2018, është arritur për të zgjidhur krizën e refugjatëve, që përfshin zotime të shteteve anëtare.
Arduç theksoi se në mbarë botën në fund të vitit 2017 ishin 25.4 milionë refugjatë. Vetëm dhjetë vende të botës strehojnë 60 për qind të refugjatëve, ndërsa Turqia kryeson me numrin e refugjatëve të pranuar me 3.5 milionë e ndjekur nga Uganda e Pakistani me nga 1.4 milionë.
“Kur shikoni prapa në 10 vitet e fundit ju mund të vëreni një lloj progresi. Ishte një proces i stuhive të mendimeve, i përpjekjeve, i konsultimeve, i hartimit të ideve dhe iniciativave. Dhe, ajo çfarë kemi sot është rezultat i kësaj dhe përbën mjaft kuptim. Është raport se si të zgjidhim çështjen e lëvizjeve masive dhe efektin e fluksit të njerëzve në vende të ndryshme”, tha Arduç.
Koordinatori për Zhvillim i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Murat Shahin, u shpreh se kjo marrëveshje i fton vendet pjesëmarrëse që të ndajnë përgjegjësinë për refugjatët. Shahin tha se edhe Kosova mund të ndihmojë në aktivitete përmes misionit të OKB-së që të arrihet agjenda e përbashkët.
Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Izmi Zeka, tha se autoritetet e Kosovës nuk ka qenë pjesë e Marrëveshjes Globale për Refugjatët, por kanë marrë veprime në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian për të qenë gati për çdo fluks të refugjatëve.
“Ne kemi përgatitur një plan i cili në rast fluksi ose në ndonjë rast të caktuar do të bëjë të mundur që të gjithë refugjatët dhe gjithë ata njerëz të cilët kërkojnë që qoftë të kalojnë këtu apo për nevoja tjera, ta ndiejnë veten komod. Unë e them edhe një çështje, që e thashë edhe dje në një takim që pata me shefin e UNHCR-së, që, nëse ndonjë vend ka një përvojë, qoftë edhe të hidhur në aspektin e refugjatëve jemi edhe ne kosovarët 20 vite më parë”, tha Zeka.
Në këtë forum u shfaq edhe një video, lidhur me “Marrëveshjen Globale të Refugjatëve”. Kjo marrëveshje njeh rëndësinë e pritjes, të mbrojtjes dhe ndihmës për refugjatë. Më shumë se gjysma e numrit total të refugjatëve janë nën moshën 18 vjeçare, ndërsa 85 për qind e refugjatëve jetojnë në vende të cilat përballen me problem dhe sfida të tyre ekonomike.