Saimir Alija
18 Qershor 2019•Përditësim: 19 Qershor 2019
Konferenca ndërkombëtare me temë: Sfidat e reja për lirinë e medias në Evropën Juglindore, ka mbledhur në Tiranë ekspertë dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme nga vendet e rajonit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fokus të konferencës ishin diskutimet mbi zhvillimet aktuale të lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes, tendencat e reja në gazetari dhe çështje të tjera.
Në fjalën e tij, drejtori i Programit të Medias për Evropën Juglindore i Fondacionit Konrad Adenauer, Hendrik Sittig, tha se qëllimi i konferencës është inkurajimi i lirisë së medias në Evropën Juglindore.
“Tani është koha që redaktorët të ndjekin teknologjinë. Është e rëndësishme të zgjerojmë këndvështrimin për të ndihmuar edhe zhvillimin e shoqërisë”, u shpreh Sittig.
Sipas tij, gazetaria e mirë bazohet mbi besueshmërinë, ndërsa shtoi se media sociale më shumë bazohet tek përfitimi i momentit.
“Demokracia dhe diversiteti i opinioneve ndihmojnë në arritjen e përfundimeve dhe marrjen e vendimeve të shëndosha. Në këtë pjesë ka rëndësi thelbësore roli i gazetarëve, pasi ato duhet të eksplorojnë edhe fushatat për publikun e tyre. Nëse gazetarët punojnë në mënyrë të palodhur kemi mundësi për të ndalur ndryshimet negative dhe për të kufizuar shpërndarjen e lajmeve të rreme”, u shpreh Sittig.
Duke folur për avantazhet dhe disavantazhet e internetit, Sittig theksoi se interneti nuk është një bazë për shqetësim, pasi sipas tij, ofron liri për të arritur audienca të gjëra.
“Duhet t’i shfrytëzojmë këto mundësi për të arritur sa më shumë audienca dhe në nivele të reja gazetarie. Ne si program i medias i japim shumë rëndësi forcimit të lirisë së medias dhe mbështetjes së gazetarëve për të forcuar rolin dhe rëndësinë e gazetarisë”, përfundoi Sittig.
Gjatë konferencës u mbajtën disa panele diskutimi, ndërsa u organizua nga Programi i Medias për Evropën Juglindore i Institutit Konrad Adenauer me mbështetjen e organizatave të tjera për mediat. Të pranishëm në konferencë ishin ekspertë të medias dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Moldavia, Mali i Zi dhe Serbia.