Agim Sulaj
07 Qershor 2019•Përditësim: 08 Qershor 2019
Në Prishtinë sot është hapur “Panairi i Vetëpunësimit 2019” me mbi 50 biznese që po marrin pjesë në tendat e vendosura në sheshin kryesor të Prishtinës, raporton Anadolu Agency (AA).
Panairi është program i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, u bëri thirrje tregtarëve të interesuar të aplikojmë në qendrën e regjistrimit si punëkërkues, derisa premtoi mbështetjen e ministrisë.

“Sot jemi dëshmitarë të asaj që ata qytetarë që ishin të regjistruar në zyrat e regjistrimit pranë ministrisë, sot produktet e tyre shfaqen në panair dhe është e qartë që masat e punës të cilat jemi duke i dhënë po japin efekte”, tha ministri Reçica.
Ndihmësja e përfaqësueses së përhershme të UNDP-së, Valbona Bogujevci tha se ky program ka qëllim të promovojë vetëpunësimin, të asistojë të rinjtë që të vendosin bizneset e tyre.
“Programi përbëhet nga një proces përzgjedhës komplet transparent, në këtë mënyrë në bashkëpunim me MMPS-së kemi arrit të përzgjedhim njerëz që kanë pasur aftësi të punës, por edhe që bizneset e tyre të qëndrojnë për vite me radhë. Ky program do të asistojë rreth 200 punëkërkues që kanë vështirësi në kërkim të punës”, tha Bogujevci.
Aplikimi për regjistrim si punëkërkues do të jetë i hapur nga sot deri më 8 korrik, ku do të bëhet përzgjedhja e aplikuesve (të cilët do të fitojnë grante) me idetë më inovative dhe që synojnë të prodhojnë rezultate të qëndrueshme.