Abdula Berisha
07 Qershor 2019•Përditësim: 09 Qershor 2019
Përmes një tribune të organizuar me institucionet relevante, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari e Maqedonisë së Veriut ka shënuar sot Ditën Botërore për Ushqim të Sigurt, raporton Anadolu Agency (AA).
Zoran Atanasov, drejtori i agjencisë, tha se në tribunën e organizuar në formë debati janë të pranishëm të gjithë aktorët që janë të përfshirë në sistemin e integruar për siguri të ushqimit, ku përpos institucioneve shtetërore, bëjnë pjesë edhe organizata joqeveritare dhe organizata për të drejtat e konsumatorëve.
“Sot në tribunë u debatua për vendosjen e një sistemi të qëndrueshëm dhe të besueshëm për sigurinë e ushqimit ndërsa qëllimi i vetë tribunës është që përmes mësimit të leksioneve nga gabimet që i kemi bërë në të kaluarën, të vendosim komunikim më të mirë me të gjithë aktorët në sistemin për sigurinë e ushqimit”, tha Atanasov, duke shtuar se është diskutuar edhe zbatimi i teknologjive të reja.
Ai theksoi se këtë vit, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari në kuadër të programit për monitorim të sigurisë së ushqimit në Maqedoninë e Veriut ka kryer rreth 50 mijë kontrolle ku janë hasur disa parregullsi, ndërsa në dy raste janë parashtruar padi penale për rrezikimin e shëndetit të njerëzve përmes lëshimit në qarkullit të ushqimit të pasigurt.
Tatjana Tasevska nga organizata e konsumatorëve tha se po punojnë në informimin dhe edukimin e konsumatorëve për të ngritur vetëdijen e tyre, në mënyrë që siç u shpreh ajo, konsumatorët të jenë mbikëqyrës të parregullsive të cilat ndoshta nuk mund të vërehen nga autoritetet.
“Ne si organizatë e konsumatorëve vlerësojmë se konsumatorët kanë të drejtë të kenë produkte të sigurta aty ku i blejnë, pra nëse blihen në vend të duhur. E ndjekim vazhdimisht gjendjen, mund të them se nga viti në vit kemi rënie të numrit të ankesave të konsumatorëve në pjesën e ushqimit”, tha Tasevska.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) në dhjetor të vitit të kaluar përmes një rezolute ka shpallur 7 qershorin si Ditë Botërore për Ushqim të Sigurt.