Beyza Binnur Dönmez
08 Shkurt 2019•Përditësim: 09 Shkurt 2019
NEW YORK (AA) - Në një artikull të botuar në The New York Times thuhet se Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, po komplotonte vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, për të paktën një vit para vrasjes së tij në Stamboll vjeshtën e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Artikulli i botuar dje citonte zyrtarë dhe ish-zyrtarë nga SHBA-të dhe vende të tjera duke theksuar se agjencitë e inteligjencës kishin zbuluar një bisedë midis princit të kurorës dhe një këshilltari të lartë.
Biseda përbënte “provat më të detajuara deri më tani” se princi i kurorës e ka konsideruar vdekjen e Khashoggit shumë kohë para se një ekip i operativëve sauditë ta vritnin atë brenda Konsullatës Saudite në Stamboll.
“Biseda midis bin Salman dhe këshilltarët të tij, Turki Aldakhil, e realizuar në shtator të vitit 2017, zbulon se qeveria saudite ishte gjithnjë e shqetësuar nga kritikat e Khashoggit”, tha një zyrtar që pa raportet e inteligjencës.
Zyrtari shtoi se në të njëjtën bisedë princi dha urdhër për sjelljen me forcë të Khashoggit përsëri në Mbretëri nëse ai nuk pranon të kthehet me dëshirë.
Bin Salman në bisedë thekson se nëse të dy metodat nuk funksionojnë, ata do të shkojnë pas gazetarit saudit me “një plumb”.
Analistët e inteligjencës së SHBA-ve theksuan se “përdorimi i plumbit” nga bin Salman në bisedë i referohet qëllimeve të tij për vrasjen dhe jo vetëm gjuajtjen e Khashoggit.
- Kurthi kanalit televiziv Al-Arabiya
Aldakhil, i cili ishte drejtor i përgjithshëm i Al-Arabiya, kanalit televiziv të lajmeve pan-arabe në pronësi saudite, nuk u përmend kurrë në hetimin e Khashoggit.
Aldakhil dhe bin Salman kishin planifikuar t’i ofronin një punë Khashoggit në Al-Arabiya, me synimin për ta sjellë atë në vend.
Disa faqe saudite të lajmeve raportuan se Aldakhil, i cili u largua nga pozita e tij në Al-Arabiya muajin e kaluar, është zgjedhja më e mirë për emërimin si ambasador saudit në Abu Dhabi.
Pak ditë para takimit me Aldakhil, princi i kurorës shprehu pakënaqësinë e tij ndaj Saud al-Qahtani, një ish-këshilltari tjetër, mbi postimet dhe artikujt e Khashoggit në mediat sociale.
Al-Qahtani paralajmëroi princin bin Salman se një sulm i mundshëm ndaj Khashoggit mund të shkaktojë një protestë ndërkombëtare, por princi pohoi se Mbretëria nuk duhet të kujdeset për reagimet në çështjet që lidhen me qytetarët e saj.
Khashoggi u vra dhe u copëtua nga një grup operativësh saudit më 2 tetor pak pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll.
Rijadi ofroi rrëfime të ndryshme dhe kontradiktore për të shpjeguar zhdukjen para se të njoftonte se Khashoggi ishte vrarë në ndërtesën diplomatike, duke fajësuar për vrasjen një operacion të kryer nga agjentë mashtrues.
Por ky shpjegim është hedhur poshtë nga jashtë Mbretërisë, ndërsa presioni është ngritur për bin Salman, për të cilin shumë besojnë se ka nënshkruar vrasjen e Khashoggit.