Sm Najmus Sakib
06 korrik 2026•Përditësim: 06 korrik 2026
Të paktën 8 Rohingya, përfshirë pesë fëmijë humbën jetën në rrëshqitje të ndara dheu sot pas reshjeve të dendura që përfshinë kampet e refugjatëve në juglindje të Bangladeshit, ku më shumë se një milion persona të zhvendosur jetojnë në kushte të mbipopulluara dhe të rrezikshme, raporton Anadolu.
"Tetë Rohingya, përfshirë gra dhe fëmijë humbën jetën në rrëshqitje të ndara dheu në kampet e Rohingya-ve në Cox’s Bazar në orët e para të së hënës për shkak të reshjeve të dendura", tha për Anadolu, Mujibur Rahman, oficer përgjegjës i stacionit policor Ukhiya në distriktin Cox’s Bazar.
Me reshje të forta që pritet të vazhdojnë, më shumë Rohingya mbeten në rrezik nga rrëshqitje të tjera dheu. Më shumë se 1.2 milion muslimanë Rohingya të persekutuar kanë jetuar kryesisht në kampe të improvizuara në Cox’s Bazar që nga arratisja pas një operacioni ushtarak në Mianmar në gusht 2017.
Departamenti Meteorologjik i Bangladeshit tha se më shumë se 100 milimetra shi kanë rënë në Cox’s Bazar gjatë 24 orëve të fundit dhe parashikoi reshje të dendura shiu gjatë dy ditëve të ardhshme.
Komisioneri për Ndihmë dhe Riatdhesim të Refugjatëve (RRRC), Mizanur Rahman i tha Anadolut se rreth 20 mijë Rohingya janë zhvendosur nga zonat me rrezik të lartë ditët e fundit ndërsa autoritetet po përgatiten për sezonin e musonit.
"Një numër i madh Rohingya jetojnë në tenda të ndërtuara duke prerë male dhe në shpatet dhe rrëzat e tyre. Prandaj, rreziku i rrëshqitjeve të dheut rritet me reshje të vazhdueshme të dendura", tha ai.
Rahman tha se agjencia e refugjatëve, partnerët e zhvillimit dhe qeveria e Bangladeshit po koordinojnë përpjekjet e evakuimit. Qendrat mësimore në kampet janë duke u përgatitur për të shërbyer si strehimore të përkohshme.