Meltem Bulur
23 Gusht 2017•Përditësim: 24 Gusht 2017
BAGDAT (AA) - Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në lidhje me referendumin që qeveria rajonale kurde e Irakut ka planifikuar të mbajë me 25 shtator tha se "pritshmëria jonë nga Erbili është jashtëzakonisht e thjeshtë dhe e qartë. Është anulimi i vendimit për referendumin. Stabiliteti dhe uniteti i rajonit është shumë i rëndësishëm. Edhe interesi dhe e ardhmja e vëllezërve tanë kurdë është në unitetin dhe tërësinë e Irakut", raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu, në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij në Bagdad, Ibrahim Xhaferi, tha se në bisedimet dypalëshe kanë shkëmbyer pikëpamje të dobishme në çështjet me interes të përbashkët.
Duke vënë në dukje se i ka përcjellë edhe njëherë kënaqësinë e Turqisë për sukseset e arritura pas luftës së vështirë të Irakut kundër DEASH-it dhe kryesisht për pastrimin e Mosulit nga DEASH-i, ministri Çavuşoğlu ka shprehur gjithashtu kënaqësinë edhe për fillimin e operacioneve kundër DEASH-it në Tal Afar si dhe ka bërë të ditur se do të vazhdojnë mbështetjen e tyre ndaj Irakut për pastrimin e DEASH-it sa më parë edhe nga rajonet e tjera.
Pasi ka shpjeguar se kanë ndarë edhe pritshmëritë në drejtimin për mbrojtjen e identitetit të turkmenëve në Tal Afer Çavuşoğlu, tha se "Ashtu si edhe në luftën kundër DEASH-it Turqia do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e saj ndaj Irakut për rindërtimin e qyteteve të tij, përpjekjet për unitetin kombëtar në Irak si dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë popullit vëlla të Irakut me të gjithë mundësitë tona."
Më tej Çavuşoğlu ka shtuar se në Bagdad ndodhet për të theksuar edhe njëherë se Turqia është pranë tyre dhe i kushton rëndësi integritetit territorial, unitetit dhe sovranitetit politik të Irakut. Ndër të tjera pasi ka nënvizuar se kanë vullnetin e përbashkët në çështjen për të vazhduar së bashku luftën kundër çdo forme të terrorizmit, shefi i diplomacisë turke, tha se "PKK-ja dhe DEASH-i janë një kërcënim për integritetin kufitar, integritetin territorial, paqen, dhe unitetin e Irakut. Për pastrimin e PKK-së nga Iraku do të veprojmë së bashku dhe do të ofrojmë çdo mbështetje për forcat e Irakut. Dëshirojmë të zhvillojmë marrëdhëniet tona me Irakun në çdo fushë."
"Fati i Turqisë dhe Irakut është i përbashkët. Ndajmë të njëjtën pozitë gjeografike, të njëjtin fat dhe shpresojmë se do të forcojmë edhe më tej marrëdhëniet tona mbi këtë qasje", është shprehur Çavuşoğlu, duke bërë të ditur se duhet të forcohet bashkëpunimi ekonomik, duhet të përfitohet nga mekanizmat aktuale për të rritur vëllimin tregtar dypalësh si dhe duhet të vazhdohen vizitat e ndërsjella.
"Iraku i gatshëm për të trajtuar problemin e PKK-së"
Ministri i Punëve të Jashtme i Irakut, Ibrahim Xhaferi, deklaroi se vendi i tij ishte gati për të trajtuar çështjet e organizatës terroriste PKK në koordinim me vendet e interesuara dhe se PKK ka shfrytëzuar kushtet e sigurisë në Irakun e veriut për të pasur një prani në disa zona. "Iraku nuk e ka sjellë brenda organizatën nga jashtë, por kushtet e sigurisë kanë mundësuar që ajo të vendoset në territorin tonë”, tha Xhaferi.
I pyetur rreth masave irakiane për të çrrënjosur PKK-n, Xhaferi tha se Iraku nuk do të lejojë “ofendime kundër ndonjë vendi nga territoret e tyre”, duke shtuar se “nuk do të lejojnë kthimin e Irakut në një zonë konflikti”.
Ministri irakian tha se Bagdadi ishte gati të niste një iniciativë “për t’u marrë me problemin e PKK-së në koordinim me vendet e interesuara, por pa shkelur sovranitetin e Irakut”.
Xhaferi i bëri thirrje qeverisë turke “të luajë një rol të rëndësishëm në rindërtimin e zonave të çliruara nga organizata terroriste DEASH”.
Në fund të vitit 2015, forcat kurde Peshmerga rimorën provincën Sinjar në Irakun verior nga DEASH-i. Megjithatë, militantët e PKK-së janë vendosur në zonë që nga viti 2014 me pretendimet për luftimin e DEASH-it.