Mohammad Sio
26 korrik 2026•Përditësim: 26 korrik 2026
Çmimi i Madh i Bahreinit në Formula 1 për vitin 2026 do të zhvillohet në Qarkun Ndërkombëtar të Sepangut në Malajzi, në kuadër të një marrëveshjeje të veçantë që synon ruajtjen e garës në kalendarin e kampionatit, transmeton Anadolu.
Formula 1 dhe FIA në një deklaratë të përbashkët njoftuan se ngjarja, e titulluar zyrtarisht Formula 1 Gulf Air Bahrain Grand Prix në Malajzi, është planifikuar të zhvillohet më 2-4 tetor, mes Çmimeve të Mëdha të Azerbajxhanit dhe Singaporit.
“Ngjarja, e cila i nënshtrohet marrëveshjeve përfundimtare dhe miratimit zyrtar, përfshirë miratimin e Këshillit Botëror të Sporteve Motorike, do të bëhet Formula 1 Gulf Air Bahrain Grand Prix në Malajzi”, thuhet në deklaratë.
Formula 1 tha se marrëveshja mundëson zhvillimin e Çmimit të Madh të Bahreinit në vitin 2026, duke shtuar se pjesa tjetër e kalendarit të sezonit mbetet e pandryshuar.
Sipas deklaratës, marrëveshja u arrit mes Formula 1, FIA-s, Qeverisë së Bahreinit dhe Qeverisë së Malajzisë.
Marrëveshja i mundëson Formula 1 të ruajë një Çmim të Madh që përndryshe nuk do të zhvillohej, thuhet në deklaratë.
Formula 1 tha se detajet për shitjen e biletave për këtë ngjarje do të bëhen të ditura në një datë të mëvonshme.
Vendimi vjen në një kohë kur Bahreini vazhdon të jetë i prekur nga tensionet e sigurisë në rajon. Javët e fundit, mbretëria e Gjirit është përballur me sulme të përsëritura me dronë dhe raketa nga Irani, në kuadër të shkëmbimit të zjarrit mes Teheranit dhe Washingtonit.