Ekip
23 Qershor 2020•Përditësim: 23 Qershor 2020
Kryeministri britanik, Boris Johnson, njoftoi të martën një lehtësim të gjerë të bllokimit në Britani, duke përfshirë edhe distancën sociale, raporton Anadolu Agency(AA).
Në fjalën e tij para parlamentit, Johnson tha se qeveria nuk beson se ekziston "rreziku i një kulmi të dytë të infeksioneve që mund të mposhtë Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë".
Ai shtoi se qeveria beson "në sensin e përbashkët dhe këmbënguljen e popullit britanik dhe se ky besim është shpërblyer”. Tani britanikëve do t'u kërkohet të ndjekin udhëzimet.
Ai më pas njoftoi një valë masash për të lehtësuar bllokimin në që nga 4 korriku. Masat parandaluese hynë në fuqi që nga 23 marsi.
Qeveria britanike do t'u kërkojë njerëzve që të vazhdojnë të mbajnë distancën prej 2 metra, siç ndodh aktualisht, por në situata kur ata nuk mund ta bëjnë këtë, siç janë në dyqane dhe restorante, do të vendoset një rregull "1 metër plus".
Ky rregull do të thotë që njerëzit duhet të qëndrojnë të paktën 1 metër larg njëri-tjetrit, si dhe të zbatojnë masa të tjera lehtësuese, të tilla si mbajtja e maskës në fytyrë, larja e vazhdueshme e duarve, kufizimi i kohës së kaluar me njerëzit e tjerë dhe kalimi i kohës jashtë në vend se brenda.
Gjithashtu nga 4 korriku, restorantet dhe baret do të lejohen të hapen, krahas parukerive, palestrave në natyrë dhe këndeve të lojërave, kinemave, muzeve, bibliotekave dhe galerive.
Vende të tjera do të mbeten të mbyllura, megjithatë, përfshirë palestrat, pishinat dhe sallat për boling.
Vendet e adhurimit do të hapen nga e njëjta datë për lutje dhe shërbime, përfshirë dasma, megjithëse këto do të kenë një pjesëmarrje maksimale prej 30 njerëzve, së bashku me zbatimin e distancës sociale.
"Sot mund të themi se letargjia jonë e gjatë kombëtare po fillon të marrë fund", tha Johnson.
Kreu i opozitës, Sir Keir Starmer, tha se megjithëse Partia Laburiste kishte pyetje për detaje të caktuara, ata i mbështetën masat në përgjithësi.
Sipas shifrave më të fundit zyrtare, 305.2289 njerëz kanë rezultuar pozitivë me koronavirus në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë 42.647 vdekje.