Davit Kachkachishvili
25 Nëntor 2022•Përditësim: 26 Nëntor 2022
Një ekip i Anadolu Agency (AA) ka arritur të hyjë në qytetin Bakhmut të Ukrainës, në kufi me rajonin Donetsk, një pikë e nxehtë në luftën ruse që tashmë është në muajin e nëntë.
Qyteti është braktisur nga banorët e tij pasi sulmet ruse shkatërruan infrastrukturën dhe prishën shërbimet thelbësore të jetesës, respektivisht gazin, energjinë elektrike dhe ujin. Ata që kanë mbetur pas shmangin daljet në natyrë dhe qëndrojnë në strehimore për t’u mbrojtur nga bombardimet.

Pasi një urë kyçe në qendër të qytetit u shkatërrua nga bombardimet, banorët kanë mbetur të bllokuar, të cilët përmes urës udhëtonin në fshatrat fqinje për të blerë ujë, ushqim dhe sende të tjera të përdorimit të përditshëm.
Disa njerëz detyrohen të udhëtojnë distanca të gjata me biçikleta në kërkim të ushqimit dhe ujit, ndërsa disa të tjerë ecin mbi një tubacion të pasigurt në mes të një lumi.

Para luftës, qyteti ishte shtëpi e 80 mijë banorëve, ndërsa tani, 90 për qind e banorëve janë evakuuar në zona më të sigurta.
56-vjeçari Anatoliy ka muaj që jeton në bodrumin e apartamentit të tij. Ai tha se gruaja dhe fëmijët e tij janë zhvendosur në një vend të sigurt, ndërsa ai vendosi të vazhdojë të jetojë në shtëpinë e tij.

“Në fillim të luftës u mësova të qëndroj në shtëpi, por tani që po përdoren avionë luftarak dhe armë të rënda, zbres në bodrum dhe qëndroj aty gjatë gjithë kohës. Edhe njerëzit e tjerë jetojnë në këtë mënyrë. Dëgjojmë shpërthime të forta ditë e natë”, u shpreh Anatoliy.
64-vjeçarja Natalya Romenskaya nga bodrumi i shtëpisë së saj shpërndan ndihma humanitare për banorët e qytetit Bakhmut. Ajo gjithashtu u mundëson njerëzve të qëndrojnë në bodrumin e shtëpisë së saj.

“Kushtet tona të jetesës po përkeqësohet derisa lufta vazhdon”, theksoi ajo.