Ekip
25 Nëntor 2022•Përditësim: 26 Nëntor 2022
Sipas qeverisë gjermane, grupi terrorist PKK/YPG ka rekrutuar rreth 300 persona në Gjermani, të cilët udhëtuan në Siri dhe Irak për të luftuar përkrah grupit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Qeveria i bëri publike shifrat në përgjigje të një pyetjeje parlamentare nga partia opozitare Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Që nga viti 2013, tha qeveria gjermane, shërbimet gjermane të inteligjencës kanë identifikuar rreth 300 persona që udhëtuan në veri të Sirisë dhe Irakut, ku iu bashkuan PKK-së terroriste dhe grupeve të lidhura me të.
Sipas qeverisë, nuk ishte e mundur të përcaktohet nëse këta vullnetarë lufte në të vërtetë luftuan kundër grupit terrorist DEASH apo morën pjesë në konflikte të tjera.
Qeveria konfirmoi se afër 150 nga luftëtarët e huaj janë kthyer në Gjermani, por nuk dha informacion më specifik në lidhje me hetimet apo procedimet gjyqësore të nisura kundër tyre.
PKK-ja është klasifikuar si një organizatë terroriste “etno-nacionaliste” dhe “separiste” nga agjencia evropiane e zbatimit të ligjit EUROPOL dhe është e ndaluar në Gjermani që nga viti 1993.
Por ajo mbetet aktive në këtë vend, me afër 14.500 ndjekës në mesin e popullsisë emigrante kurde të Gjermanisë.
Agjencia e inteligjencës së brendshme gjermane BfV në raportin e saj vjetor paralajmëroi se PKK-ja mbetet grupi më i madh ekstremist i huaj në vend dhe se ndjekësit e saj mund të kryejnë sulme të dhunshme nëse marrin udhëzime nga udhëheqësit e grupit jashtë vendit.
Türkiye prej kohësh i ka bërë thirrje aleatit të saj në NATO, Gjermanisë, që të ndërmarrë veprime më të forta kundër PKK-së dhe degës së saj siriane YPG, duke theksuar se këto grupe terroriste përdorin Gjermaninë si një platformë për aktivitetet e tyre të mbledhjes së fondeve, propagandës dhe rekrutimit.
Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40 mijë personave.