Bahtiyar Abdülkerimov
16 Korrik 2021•Përditësim: 17 Korrik 2021
Është vendosur që të formohet formati katërpalësh SHBA, Uzbekistan, Afganistan, Pakistan, për të mbështetur procesin e paqes dhe zgjidhjen pas konfliktit në Afganistan, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme e Uzbekistanit thuhet se në kryeqytetin Tashkent zhvilluan një takim ministri i Jashtëm Abdulaziz Kamilov, ministri i Jashtëm i Afganistanit, Mohammad Hanif Atmar, ministri i Jashtëm i Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi dhe përfaqësuesi special i SHBA-së për Afganistanin, Zalmay Halilzad.
Në deklaratë theksohet se vendet në fjalë ranë dakord për formimin e një platforme të re diplomatike katërpalëshe e cila synon të forcojë marrëdhëniet rajonale.
Më tej në deklaratë thuhet se palët besojnë se paqja dhe stabiliteti afatgjatë në Afganistan ka rëndësi jetësore për bashkëpunimin rajonal dhe se ndajnë të njëjtin mendim se paqja dhe marrëdhëniet rajonale forcojnë reciprokisht njëra-tjetrën.
"Në mënyrë që të zhvillohen më tej rrugët efektive tregtare ndërkombëtare, palët synojnë të punojnë së bashku për të zgjeruar tregtinë, për të formuar rrugë të reja tranziti dhe për të forcuar lidhjet tregtare", thuhet në deklaratën në të cilën vihet theksi se palët janë dakorduar të mblidhen në muajt e ardhshëm për të përcaktuar së bashku kushtet e këtij bashkëpunimi.