Gamze Türkoğlu Oğuz
22 Shkurt 2019•Përditësim: 23 Shkurt 2019
Gjykata e Lartë e Indisë mori vendim që zyrtarët t'i japin fund kërcënimeve, sulmeve dhe bojkotit ndaj banorëve që jetojnë në rajonin e Xhamu Kashmirit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në vendimin e gjykatës që adreson peticionet e juristëve Colin Gansalves dhe Tarik Adeeb, nga zyrtarët indianë është kërkuar që t'i jepet fund kërcënimeve, sulmeve dhe bojkotit për mijëra studentë, tregtarë dhe profesionistë të Kashmirit, pas sulmit të kryer ndaj autokolonës paramilitare të javës së kaluar në Xhamu Kashmir.
Në peticion thuhet se studentë në shumë qyteza dhe qytete të Xhamu Kashmirit pas sulmit të 14 shkurtit, kanë mbyllur veten në dhomat e tyre për t'u mbrojtur nga bandat.
Në videot që janë publikuar në rrjetet sociale në Indi, shihet se studentët nga Kashmiri janë rrahur nga grupet nacionaliste hindu, duke kërkuar që të largohen nga kolegjet dhe universitetet.
Të paktën 44 ushtarë kishin humbur jetën, ndërsa 20 të tjerë kishin mbetur të plagosur si pasojë e sulmit që kishte shënjestruar autokolonën paramilitare në rajon javën e kaluar.
- Çështja e Kashmirit
Britania e Madhe gjatë tërheqjes së saj nga India në vitin 1947, kishte lënë të lirë Kashmirin i cili ishte nën sundimin e princit, t'i bashkohet ose Indisë ose Pakistanit. 90 për qind e popullatës së Kashmirit e cila është muslimane në vitin 1947 dolën me qëndrimin që t'i bashkohen Pakistanit, por princi i asaj kohe, vendosi të bashkohet me Indinë në vend të Pakistanit. Ndërsa këtë vendim e kundërshtoi popullata muslimane e Kashmirit.
Pasi Pakistani dhe India dërguan ushtarë në rajon, palët luftuan për herë të parë në vitin 1947. Të dy vendet për të njëjtin shkak luftuan edhe në vitet 1965 dhe 1999. 45 për qind e Kashmirit është nën kontrollin e Indisë, ndërsa 35 për qind nën kontrollin e Pakistanit. 20 për qind e rajonit është nën kontrollin e Kinës. India, rajonet të cilat i okupoi i lidhi me vete nën emrin provinca "Xhammu Kashmir".
Xhamu Kashmir tani është provinca e vetme e Indisë ku jeton shumicë muslimane. Ndërsa Pakistani Kashmirin që e ka nën kontroll i dha status të dy rajoneve autonome "Azad Kashmir (Kashmiri i Pavarur)" dhe "Gilgit Baltistan".
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), me vendimin e marrë nga viti 1948, kishte parashikuar pastrimin e Kashmirit nga ushtarët ndërsa e ardhmja t'i caktohet me referendum. India nuk është dakord me referendumin, ndërsa Pakistani kërkon të zbatohen vendimet e KS të OKB-së.
Grupet e rezistencës në Xhamu Kashmir, që nga viti 1989 zhvillojnë protesta për pavarësi ose të lidhen me Pakistanin.
Pas vrasjes së Burhan Wani, një ndër anëtarët e Hizbul Muxhahidin, në një përleshje që ndodhi më 8 korrik 2016 mes forcave të sigurisë dhe Hizbul Muxhahidin, dhjetëra mijëra persona dolën në protesta ndërsa gjatë protestave 63 persona humbën jetën.