George Albert Bernard
20 Dhjetor 2017•Përditësim: 20 Dhjetor 2017
ATHINË (AA) – Në kampin e mbipopulluar me migrantë Moria i cili ndodhet në ishullin grek Lesbos, të martën vonë kanë shpërthyer përleshje mes migrantëve, me ç'rast të paktën shtatë migrantë kanë mbëtur të lënduar, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç bëjnë të ditur mediat lokale, përleshjet kanë shpërthyer si pasojë e grindjeve të migrantëve afganë, irakianë dhe arabë.
Të lënduarit janë dërguar në spital, ndërsa mediat raportojnë për një numër të madh autoambulancash dhe ekipeve zjarrfikëse në vendin e ngjarjes.
Thuhet se policia përgjegjëse për sigurinë në kamp, ka përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërkohë që disa media situatën e kanë përshkruar si një situatë në zonë lufte.
Përleshjet mes refugjatëve dhe migrantëve në kampin Moria nuk janë të rralla, por ky i fundit ka qenë i përmasave më të mëdha.
Situata gjithnjë e më shumë përkeqësohet, meqë në kampin e lartpërmendur, në kushte të vështira jetojnë 5.500 njerëz.