Adham Kako
10 Janar 2018•Përditësim: 10 Janar 2018
GUTA LINDORE/ANKARA (AA) – 40 civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve intensive të kryera në dy ditët e fundit në rajonin e Gutës Lindore, e cila ndodhet nën rrethimin e regjimit Bashar al-Asadit në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të gazetarëve të AA-së në Gutën Lindore, forcat e regjimit sirian në dy ditët e fundit kanë kryer sulme intensive ajrore dhe artilerike në qytetet Duma dhe Harasta, si dhe në qytezat Ein Tarma, Saqba, Arbin, Merc, Medyere dhe Hammuriyeh.
Sipas burimeve të Mbrojtjes Civile Siriane (Helmetat e Bardhë), në sulmet ajrore të forcave të regjimit të cilat vazhduan edhe sot në qytetet dhe qytezat që ndodhen në zonën e deeskalimit të Gutës Lindore, kanë humbur jetën dy civilë, njëri në qytezën Medyere, ndërsa tjetri në Arbin.
Ekipet e mbrojtjes civile bëjnë të ditur se numri i civilëve që humbën jetën si pasojë e sulmeve ajrore të regjimit gjatë ditës të djeshme në qytezën Hammuriyeh, është rritur në 25.
Poashtu në sulmet e djeshme ajrore të regjimit, në Saqba kanë humbur jetën 3 civilë, në Harasta, Arbin dhe Medyere nga një civilë. Ndërsa në sulmin artilerik në qarkun Duma kanë humbur jetën edhe 7 civilë.
Me këtë, numri i civilëve të cilët kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të djeshme është rritur në 38 dhe gjithsejt numri i personave të vdekur nga sulmet ajrore dhe artilerike gjatë dy ditëve të fundit ka arritur në 40.
Ekipet e Mbrojtjes Civile, të cilët vazhdojnë punimet e kërkim shpëtimit, kanë arritur që të shpëtojnë në gjendje të gjallë një numër të madh të civilëve.
Të plagosurit janë dërguar për trajtim në spitalet përreth.
Si pasojë e sulmeve ajrore që vazhdojnë pa ndërprerë druhet se numri i të vdekurve mund të rritet.
- Në 13 ditët e fundit kanë humbur jetën 161 civilë
Ekipet e Mbrojtjes Civile përmes medias sociale kanë theksuar se si pasojë e sulmeve të regjimit të Asadit dhe të mbështetësve të tij, në 13 ditët e fundit në Gutën Lindore kanë humbur jetën 161 civilë.
Ekipet e mbrojtjes civile, më parë njoftuan se në vitin 2017 në Gutën Lindore të rrethuar nga regjimi i Asadit kanë humbur jetën gjithsej 1.337 civilë, 12 prej tyre punonjës të mbrojtjes civile.
Në Gutën Lindore, e cila gjendet nën kontroll të opozitarëve, jetojnë afro 400 mijë civilë prej të cilëve gjysma janë fëmijë. Në kundërshtim me marrëveshjen e Astanas ku Guta Lindore u shpall si "zonë jokonfliktuale", regjimi i Asadit, garantues i të cilit ishte Rusia, ka 9 muaj që ka intensifikuar bllokadën ndaj rajonit në fjalë.
Në rajonin ku është thelluar kriza humanitare, ka mbi 600 raste urgjente dhe mijëra të sëmurë të tjerë të cilët presin të evakuohen. Shumica e të sëmurëve janë fëmijë ose të sëmurë me kancer në faza të avancuara. Shumë foshnje dhe fëmijë nga Guta Lindore humbën jetën si pasojë e urisë dhe mungesës së ilaçeve.