Michael Gabriel Hernandez
12 Maj 2020•Përditësim: 12 Maj 2020
Zyra e Llogaridhënies Qeveritare (GAO) ka paralajmëruar se vendimi i SHBA-së për të hequr Turqinë nga programi F-35 mund të ndërlikojë procesin tashmë të bllokuar të prodhimit të avionëve luftarakë, transmeton Anadolu Agency (AA).
GAO vlerëson se përderisa programi ka bërë përparim në uljen e çmimeve dhe rritjen e prodhimit, rreth 7 mijë prej mbi 10 mijë "proceseve kryesore" të kontraktuesve "nuk plotësojnë standardet e paracaktuara të projektimit për të siguruar cilësinë e produktit", dhe se projekti vazhdon të përballet me mungesa të furnizimit që mund të përkeqësohen nga heqja e Turqisë.
Vendimi i administratës së presidentit Trump në korrik 2019 për të hequr Turqinë nga programi F-35 për shkak të blerjes së sistemit të avancuar të mbrojtjes ajrore ruse "mund të përbëjë rreziqe për prodhimtarinë", vlerësojnë nga GAO.
"Programi ka identifikuar burime të reja për 1.005 pjesë të prodhuara nga furnizuesit turq, por programi po vlerëson efektin e 15 pjesëve kryesore që nuk prodhohen aktualisht në shkallën e nevojshme të prodhimit", thonë nga GAO.
Agjencia citoi të dhëna nga Agjensia e Pentagonit për Menaxhimin e Kontratave të Mbrojtjes ku thuhet se në kohën e heqjes së Turqisë, programi po përballej me rritje të nivelit të dërgesave të vonuara të pjesëve të avionëve dhe mungesës së pjesëve.
Më tej theksohet se "rreziku mbetet" me planin e administratës për të kaluar nga furnizuesit turq në furnizues alternativë, duke theksuar në mënyrë të veçantë se "disa nga këta furnizues të pjesëve të reja nuk do të prodhojnë me normën e kërkuar deri në vitin e ardhshëm, pasi afërsisht 10 përqind janë risi për programi F-35 ".
"Përfaqësuesit e kontraktuesve deklaruan se do të duhej më shumë se një vit për të ngritur në këmbë këta furnizues të rinj, ndërsa koha varet nga disa faktorë, si kompleksiteti i pjesës, sasia dhe pjekuria prodhuese e furnizuesit", paralajmëroi GAO.
Më tej citohet një paralajmërim nga një zyrtar anonim i programit F-35 i cili tha se nuk është e qartë se si do të krahasoheshin çmimet nga furnizuesit alternativë me ato nga Turqia, "por zyrtari vuri në dukje se burimet alternative mund të kishin kosto më të lartë".
Blerja e sistemit të avancuar rus S-400 për mburojë raketore nga ana e Turqisë shkaktoi që administrata e presidentit amerikan Donald Trump në muajin korrik të largojë Turqinë nga programi i avionit luftarak të gjeneratës së pestë, F-35.
SHBA pohon se sistemi mund të përdoret nga Rusia për të fituar detaje të klasifikuara për avionin dhe se nuk është në përputhje me sistemet e NATO-s.
Megjithatë, Turqia pohon se sistemi S-400 nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s, e as nuk paraqet kërcënim për aleancën.