Büşra Nur Bilgiç Çakmak
06 Mars 2020•Përditësim: 09 Mars 2020
Holanda ka bërë thirrje për një zonë pa fluturime mbi Idlib të Sirisë veriperëndimore, para një takimi të kryediplomatëve të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) në Kroaci, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Jam i kënaqur që u arrit armëpushimi, por duhet të shohim nëse ai do të mbahet. Unë ende mendoj se do të ishte shumë mençuri të shtohet një zonë pa fluturime në armëpushim, kjo mund të ishte hapi i parë", tha kryediplomati holandez, Stef Blok, para takimit të kryediplomatëve.
"Ende mendoj se kemi shumë nevojë për një zonë pa fluturim, sepse të gjithë kemi parë raporte të tmerrshme lidhur me bombardimet e spitaleve në Idlib. Dhe për të ndaluar ato, ne do të duhet ta kthejmë në zonë pa fluturime", theksoi Blok.
Blok shpjegoi detajet e propozimit të tij në një deklaratë në fillim të kësaj jave.
"Le të bëjmë të gjithë një hap prapa dhe të paktën të sigurohemi që sulmet nga ajri mbi Idlib të ndalen. Kjo do të thotë të mos ketë aeroplan luftarak sirian apo helikopterë. Me fjalë të tjera, një zonë pa fluturime për Assad-in mbi Idlibin. Mbyllja e hapësirës ajrore mbi Idlib atëherë duhet të monitorohet ndërkombëarisht dhe nëse atëherë duhet të realizohet një sulm ajror në Idlib, të paktën do të dimë se kush është përgjegjës", tha Blok.
Dje, Ankara dhe Moska arritën një marrëveshje për të rivendosur armëpushim midis palëve në konflikt në Idlib pas disa ditëve përshkallëzim.
Sipas protokollit të rënë dakord nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe presidenti rus, Vladimir Putin, armëpushimi filloi në mesnatë.
Në protokoll, Turqia dhe Rusia si vende garantuese për të vëzhguar armëpushimin në Siri, rikujtuan memorandumin e 4 majit të vitit 2017 për krijimin e zonave de-eskaluese në Siri dhe atë të 17 shtatorit të vitit 2018 për stabilizimin e situatës zonat e de-eskalimit në Idlib.
Të dy palët theksuan rëndësinë e parandalimit të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës humanitare, mbrojtjen e civilëve dhe garantimin e ndihmës humanitare për të gjithë sirianët në nevojë.
Idlibi ka qenë një kështjellë e opozitës dhe grupeve të armatosura anti-qeveritare që nga shpërthimi i luftës civile siriane në vitin 2011.
Në shtator të vitit 2018, Ankara dhe Moska arritën një marrëveshje për ta kthyer Idlibin në një zonë de-eskaluese në të cilën aktet e agresionit janë të ndaluara.
Por që nga ajo kohë, mbi 1.800 civilë janë vrarë në sulme nga regjimi sirian dhe forcat ruse, duke shkelur armëpushimin e vitit 2018, si dhe një tjetër armëpushim që filloi më 12 janar.
Javën e kaluar, të paktën 36 ushtarë turq u martirizuan në një sulm të regjimit, gjë që rriti tensionet midis Ankarasë dhe Moskës aleate të regjimit të Bashar al-Assadit.
Përshkallëzimi i fundit po ashtu ka shkaktuar një valë të re të migrantëve sirianë drejt kufirit të Turqisë.
Turqia, e cila tashmë strehon rreth 3.7 milionë refugjatë sirianë, thotë se nuk mund të përvetësojë një valë tjetër migracioni dhe kësaj i është përgjigjur duke hapur kufirin e saj për në Evropë për azilkërkuesit.