Arif Yusuf,Ayşe Sümeyra Aydoğdu
29 Nëntor 2016•Përditësim: 29 Nëntor 2016
BAGDAD (AA) - Mësohet se ushtria irakiane ka përparuar në disa zona në kuadër të operacionit për çlirimin e Mosulit nga organizata terroriste DEASH. Ndërkohë lufta në rrugët e qytetit thuhet se është intensifikuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Komandant i Batalionit 73 në Irak, Shukur en-Nuejmi, ka deklaruar për AA se ushtria irakiane ka mundur të zmbrapsë terroristët e DEASH-it në disa lagje të Mosulit duke i vënë nën kontroll. "Momentalisht janë duke u përjetuar përleshje shumë të ashpra në dy lagje", është shprehur ai.
Duke theksuar se koalicioni ndërkombëtar i kryesuar nga SHBA-ja ka vonuar në ndërhyrjen e tij, Nuejmi ka pohuar se ende nuk ka informacione për humbjet nga të dyja anët.
Gjenden 10 kufoma të militantëve të DEASH-it
Nga ana tjetër Jasin Shirvani, kolonel i forcave Peshmerge, ka thënë për AA se kanë gjetur kufomat e 10 militantëve të DEASH-it në vendet ku kanë arritur të kontrollojnë.
Ai ka theksuar se në disa kufoma janë konstatuar gjurmë që tregojnë se ishin përgatitur për tu bërë kamikazë.