Arif Yusuf,Mehmet Nuri Uçar
20 Nëntor 2016•Përditësim: 21 Nëntor 2016
MOSUL (AA) - Për shkak të luftimeve midis ushtrisë irakiane dhe pjesëtarëve të organizatës terroriste DEASH në 24 orët e fundit shtëpitë i kanë braktisur 3.200 civilë ndërsa operacioni për çlirimin e qytetit edhe më tej vazhdon, raporton Anadolu Agency (AA).
Iyad Rafid, nga Gjysmëhëna e Kuqe e Irakut tha se në mesin e civilëve të cilët e braktisën rajonin e pjesës lindore të Mosulit gjenden shumë gra dhe fëmijë. Këta civilë janë vendosur në kampet Hazir, El-Jeda dhe Hasan Sham.
Rafid thotë se ekipet e Gjysmëhënës së Kuqe, Ministrisë irakiane për Migracion dhe Refugjatë dhe organizatave humanitare ndërkombëtare tentojnë t'u ofrojnë ndihmë civilëve të cilët i kanë lëshuar shtëpitë e tyre.
Në kumtesën e Ministrisë për Migracion dhe Refugjatë thuhet se që nga 17 tetori, ditën kur ka filluar operacioni për çlirimin e Mosulit nga organizata terroriste DEASH, në kampet për të cilat është kompetente Ministria janë vendosur 62 mijë refugjatë.