Adil Essabiti,Gülşen Topçu
23 Maj 2019•Përditësim: 24 Maj 2019
Kryetari i Këshillit Presidencial të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të Libisë, Fayez al-Sarraj tha se në Libi ka ende një shans për të ndalur gjakderdhjen dhe për t'u ulur në tryezën e dialogut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në në fjalim gjatë një takimi të zhvilluar në kryeqytetin e Tunizisë, Tunis, me figura të shquara nga rajoni lindor i Libisë, Sarraj duke vënë në dukje operacionin e nisur nga gjenerali Khalifa Haftar për të marrë nën kontroll Tripolin, theksoi nevojën për të përfituar nga kjo përvojë e hidhur dhe rezultatet që dolën prej saj.
"Ne u bëjmë thirrje vëllezërve tanë në Lindje që të qëndrojnë larg kësaj lufte. Gjaku i të gjithë libianëve është i vlefshëm për ne", tha Sarraj duke bërë të ditur se Khalifa Haftar operacionin në fjalë e kryen për të marrë nën kontroll Tripolin.
Ai tha se në sulmet e fundit kanë humbur jetën qindra persona nga të dyja palët. "Këto sulme kundër Tripolit tronditën procesin politik në themel, tërhoqën vendin në vorbullën e dhunës dhe luftës, teksa ne i ishim afruar përmes rrugëve paqësore zgjidhjes së krizës në të cilën ndodhej vendi", thekson Sarraj.
"Në Libi ka ende një shans për të ndalur gjakderdhjen dhe për t'u ulur në tryezën e dialogut", tha Sarraj duke vënë theksin se lufta në vend, nuk është mes Lindjes dhe Perëndimit, por mes shtetit civil modern dhe atyre që duan ta militarizojnë shtetin dhe të kthehen në regjimin totalitar.
Lideri i forcave ushtarake në lindje të Libisë gjenerali Khalifa Haftar më 4 prill dha urdhër për të marrë nën kontroll kryeqytetin Tripoli ndërsa pas kësaj njësitë e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) nisën operacionin Burkan el-Gadab.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se ka arritur në 500 numri i njerëzve që kanë humbur jetën në konfliktet e ashpra të cilat vazhdojnë më shumë se një muaj mes trupave të njohura ndërkombëtarisht të GNA-së dhe forcave të Haftarit.