Mehmet Akif Turan
05 Janar 2017•Përditësim: 06 Janar 2017
RABAT (AA) - Ministria e Brendshme e Marokut ka njoftuar se ka vendosur të mbyllë institucionet arsimore dhe edukative të organizatës terroriste FETÖ, që veprojnë në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklarate të publikuar nga Ministria e Brendshme e Marokut thuhet se "Është vendosur mbyllja e të gjitha veprimtarive arsimore dhe edukative të shkollave Fatih Sultan Mehmet që operojnë në vend të lidhur me bashkësinë Fetullah Gülen. Gjithashtu për të mos viktimizuar studentët që studiojnë në shkollat në fjalë do të mundësohet transferimi në shkolla të tjera."
Në deklaratë ndër të tjera vihet në dukje se si rezultat i hetimit të kryer nga Ministria e Arsimit Kombëtar dhe Profesional e Marokut, në shkollat në fjalë është vërejtur se ndiqet një metodë arsimi e cila nuk është në përputhje me kurrikulën arsimore të Marokut.
Në deklaratën ku thuhet se institucioneve arsimore ia është dhënë një afat 1 mujor për plotësimin e procedurave të mbylljes, theksohet se Ministria e Arsimit Kombëtar dhe Profesional në Marok ka nisur punimet në mënyrë që të mos përjetohet ndonjë viktimizim.
Shkollat Fatih Sultan Mehmet të cilat janë ndërtuar në vitin 1993 në qytetin Tangier të Marokut, krahas këtij qyteti kanë edhe 8 degë të tjera në qytetet Kazablanka, Fez, Tatvan dhe El-Xhedide.