Rabia İclal Turan
02 tetor 2026•Përditësim: 02 tetor 2026
OKB-ja të premten shprehu shqetësim për rritjen e tensioneve mes vendeve të Bririt të Afrikës, duke u bërë thirrje atyre të tregojnë përmbajtje dhe t’i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut, transmeton Anadolu.
“Jemi të shqetësuar për rritjen e tensioneve mes vendeve të Bririt të Afrikës në një kohë kur uniteti, dialogu dhe bashkëpunimi janë kaq urgjentisht të nevojshëm për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajon”, u tha gazetarëve zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, në një konferencë për media.
“Sekretari i Përgjithshëm u bën thirrje shteteve të tregojnë përmbajtje, të përmbahen nga çdo veprim që do të përshkallëzonte më tej tensionet dhe të angazhohen për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre përmes dialogut”, tha Dujarric.
Deklarata u bë pasi Eritrea ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Etiopinë, pas vendimit të Addis Abebës për mbylljen e ambasadës së saj në Asmara dhe urdhërimin e dhjetë diplomatëve eritreanë që të largoheshin nga vendi brenda 48 orëve.
Etiopia gjithashtu urdhëroi të enjten një diplomat egjiptian të largohej nga vendi, duke bërë që Kajro të merrte të njëjtën masë ndaj një këshilltari të Ambasadës së Etiopisë.
Përkeqësimi i marrëdhënieve diplomatike ndodh në mes të përshkallëzimit më serioz në veri të Etiopisë që nga marrëveshja e paqes e vitit 2022, e cila i dha fund dy viteve luftë mes qeverisë federale dhe forcave nga rajoni verior i Tigrait.
Luftimet rifilluan në shtator mes forcave federale etiopiane dhe një aleance opozitare të udhëhequr nga Fronti Popullor për Çlirimin e Tigrait (TPLF), ndërsa armiqësitë u përhapën në pjesë të jugut të Tigrait dhe në rajonin fqinj të Afarit.
Dujarric gjithashtu vuri në dukje situatën humanitare në Etiopi, duke thënë se partnerët e OKB-së po punojnë për të siguruar qasje të sigurt dhe të vazhdueshme, me qëllim rritjen e ndihmës për shpëtimin e jetëve.
Në rajonin Afar, partnerët e OKB-së po mobilizojnë ndihma ushqimore, terapeutike, shërbime shëndetësore, ujë, kanalizime, higjienë dhe strehim emergjent, tha ai.
Në rajonin Amhara, partnerët humanitarë pritej të nisnin të premten ofrimin e ndihmës ushqimore për më shumë se 80.000 persona të zhvendosur brenda vendit në rrethin Rayakobo dhe qytetin Sokota, pas përmirësimit të qasjes humanitare, tha Dujarric.