Elena Teslova
09 Mars 2023•Përditësim: 10 Mars 2023
Moska tha se sulmi masiv ndaj Ukrainës i kryer në mëngjes është “shpagim” për sulmin në rajonin Bryansk të Rusisë, raporton Anadolu.
“Në përgjigje të akteve terroriste, të organizuara nga regjimi i Kievit më 2 mars në rajonin Bryansk, forcat e armatosura të Federatës Ruse kryen një sulm masiv hakmarrjeje”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Igor Konashenkov në një konferencë shtypi në Moskë.
Sipas tij, sulmi u krye me armë me precizion të lartë, përfshirë raketat hipersonike “Kinzhal”, të cilat goditën “elementet kryesore të infrastrukturës ushtarake të Ukrainës, ndërmarrjet e kompleksit ushtarako-industrial, si dhe objektet energjetike që i furnizojnë ato”.
“Qëllimi i sulmit është arritur. Të gjitha objektet e përcaktuara janë goditur”, tha ai.
Konashenkov pretendoi se sulmet shkatërruan vendndodhjet e dronëve luftarakë, penguan transferimin e rezervave dhe transportin hekurudhor të armëve të huaja, si dhe shkatërruan objektet për riparimin e pajisjeve ushtarake dhe prodhimin e municioneve.
Më 2 mars, Moska tha se trupat ukrainase kryen një ofensivë në rajonin Bryansk të Rusisë, nga e cila vdiq një civil dhe u plagos një djalë dhjetëvjeçar. Presidenti Vladimir Putin e quajti atë “sulm terrorist”.