Zehra Ulucak
03 Gusht 2017•Përditësim: 03 Gusht 2017
WASHINGTON (AA) - SHBA u bëri thirrje qytetarëve të saj në Korenë e Veriut, që të braktisin vendin para ndalimit të udhëtimit që do të hyjë në fuqi më 1 shtator, transmeton Anadolu Agency (AA).
Departamenti amerikan i Shtetit lëshoi një paralajmërim të ri lidhur me zgjerimin e ndalimit të ri të udhëtimit të administratës së presidentit Donald Trump.
Në paralajmërim thuhet se përjashtimet në lidhje me ndalimin e udhëtimit do të bëhen me leje të veçanta që do të jepen vetëm "në rrethana shumë të kufizuara", ndërsa u kërkua nga qytetarët që të braktisin Korenë e Veriut para se të hyjë në fuqi ndalesa e udhëtimit në këtë vend.
Gjithashtu theksohet se ata që dëshirojnë të udhëtojnë në Korenë e Veriut me pasaportë të SHBA-ve, duhet të marrin leje të veçantë në pasaportat e tyre.
Në deklaratën e Departamentit të martën u tha se ndalimi i udhëtimit që do të hyjë në fuqi më 1 shtator dhe nuk do të përfshijë gazetarët, punonjësit e ndihmave humanitare dhe për personat, vizita e të cilëve në vend është e përshtatshme për "interesin kombëtar".
Vendimi në lidhje me ndalesën është shpallur në 'Gazetën zyrtare' më 2 gusht.
Ndalesa për udhëtim në Korenë e Veriut mund të mbetet në fuqi deri më 31 gusht të vitit 2018.