Tufan Aktaş
04 Nëntor 2021•Përditësim: 04 Nëntor 2021
Shefi i ushtrisë sudaneze, gjeneral Abdel Fattah al-Burhan, urdhëroi lirimin e katër prej ministrave të arrestuar nga ushtria më 25 tetor, pasi ajo ndërhyri në vazhdën e tensioneve në rritje në Sudan, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas mediave shtetërore, ministrat Hamza Baloul, Ali Jiddo, Hashim Hasabalrasoul dhe Yousef Adam do të lirohen.
Zhvillimi erdhi ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres foli me shefin e ushtrisë përmes telefonit dhe përsëriti thirrjen e tij për lirimin e të gjithë të burgosurve civilë.
Menjëherë pas arrestimit të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe disa ministrave, al-Burhan kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe kishte shpërbërë këshillin sovran qeverisës, duke shkaktuar protesta masive.
Këshilli, i përbërë nga zyrtarë ushtarakë dhe civilë, mbikëqyri periudhën e tranzicionit deri në zgjedhjet në vitin 2023 si pjesë e një pakti për ndarjen e pushtetit pas rrëzimit të ish-udhëheqësit Omar Al-Bashir.