Mohamad Misto
20 shkurt 2018•Përditësim: 21 shkurt 2018
GUTA LINDORE/STAMBOLL (AA) – Në sulmet e regjimit të Bashar al-Asadit në Siri, gjatë dy ditëve të fundit në Gutën Lindore kanë humbur jetën 167 civilë, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç njoftojnë gazetarët e AA-së në Gutën Lindore, regjimi i Asadit dhe mbështetësit e tyre që nga orët e mëngjesit të ditës së djeshme po kryejnë sulme ajrore dhe tokësore në disa vendbanime të Gutës Lindore.
Sipas burimeve të Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha) në dy ditët e fundit kanë humbur jetën gjithsej 167 civilë, ku 88 prej tyre në ditën e parë dhe 79 në ditën e dytë.
Në sulmet e djeshme 20 civilë kanë humbur jetën në Hamoryah, 18 në Bejt Sava, 11 në Hizza, 14 në Saqb, 6 në Mesrab, 7 në Otaja, 4 në Jisreen, 3 në Neshebiye, 3 në Duma, 1 në Zemelka dhe 1 në Shifoniyye.
Ndërsa në sulmet ajrore dhe tokësore gjatë ditës së sotme 34 civilë kanë humbur jetën në Marj, 27 në Bejt Sava, 7 në Arbin, 7 në Mesrab, 2 në El Eshari, 1 në Zemelka dhe 1 në Saqb.
Shqetësohet për rritje të numrit të të vdekurve ku sulmet vazhdojnë pa u ndalur.
Në Gutën Lindore, cila është nën kontroll të opozitës, jetojnë rreth 400 mijë civilë. Ky rajon në marrëveshjen në Astana u shpall zonë e deeskalimit të përleshjeve. Përskaj kësaj, pjesëtarët e regjimit të Asadit, vendi garantues i së cilës është Rusia, nga muaji prill i vitit të kaluar intensifikuan rrethimin, ndërsa muajt e fundit edhe sulmet.
Kriza humanitare në Gutën Lindore nga dita në ditë përkeqësohet, ndërsa mijëra civilëve duhet të evakuohen. Shumica e civilëve të cilët duhet evakuuar urgjentisht, përbëhen nga fëmijët dhe persona të sëmurë nga kanceri. Përveç kësaj, shumë fëmijë në Gutën Lindore kanë vdekur si pasojë e urisë dhe pamundësisë në qasje në barna.
Farhan Haq, një nga zëdhënësit e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në një deklaratë të djeshme tha se 69 civilë ballafaqohen me mungesë të ushqimit në nivelin ekstrem dhe se 127 fëmijë janë në rrezik për jetë. Haq ka bërë të ditur se kanë filluar të shihen sëmundjet ngjitëse si tuberkuloza, tifo dhe zgjeba dhe se për shkak të mungesës së vaksinave 600 fëmijë janë në rrezik.