Ali H. M.Abo Rezeg
23 Prill 2019•Përditësim: 23 Prill 2019
Unioni Afrikan në samitin e organizuar në Egjipt ka rënë dakord t'i japë këshillit ushtarak qeverisës të Sudanit një periudhë tremujore për t'ia dorëzuar pushtetin një qeverie civile, raporton Anadolu Agency (AA).
"Samiti i Kajros arriti të zgjasë afatin përfundimtar të Unionit Afrikan për dorëzimin e pushtetit nga 15 ditë në tre muaj", tha Bassam Rady, zëdhënës i Presidencës së Egjiptit.
Ai tha se liderët që morën pjesë në samitin e Kajros ranë dakord që afati prej 15 ditësh për Këshillin Ushtarak Kalimtar të Sudanit për të dorëzuar pushtetin ishte i pamjaftueshëm.
Egjipti është kryesuesi aktual i Unionit Afrikan.
Më 11 prill, ushtria sudaneze njoftoi rrëzimin e presidentit Omar al-Bashir, i cili kishte qeverisur vendin që nga viti 1989, pas disa muajsh protestash kundër sundimit të tij.
Më 15 prill, Këshilli i Paqes dhe Sigurisë i Unionit Afrikan dha një afat kohor prej 15 ditësh për sunduesit ushtarakë të Sudanit për t'ia dorëzuar pushtetin një qeverie civile ose për t'u pezulluar nga blloku.