Diyar Güldoğan
20 gusht 2026•Përditësim: 20 gusht 2026
Dy punonjës afganë të misionit politik të OKB-së në Afganistan UNAMA janë liruar pasi ishin mbajtur të ndaluar nga talebanët për më shumë se një javë, transmeton Anadolu.
“Dy nga punonjësit tanë vendas të misionit politik të OKB-së në Afganistan, të cilët ishin ndaluar nga autoritetet de facto më shumë se një javë më parë, u liruan këtë mëngjes”, u tha gazetarëve zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
Dujarric tha se ata duket se janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Kuptojmë se akuzat ndaj tyre janë hequr, ndaj jemi të kënaqur që janë liruar”, shtoi ai.
Megjithatë, Dujarric tha se misioni i OKB-së nuk ishte informuar për arsyen pse dy punonjësit ishin arrestuar ose ndaluar.
“Po vazhdojmë ta ndjekim çështjen me autoritetet de facto”, tha ai, duke shtuar se OKB-ja po kërkon garanci që privilegjet dhe imunitetet e saj të respektohen.
Dujarric gjithashtu theksoi ndalimin e vazhdueshëm të personelit të OKB-së në Jemen, duke shtuar se 73 punonjës vazhdojnë të mbahen të ndaluar nga Huthit.
“Vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar lirimin e tyre të menjëhershëm”, tha ai.
I themeluar në vitin 2002, Misioni i Asistencës i Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA) ka për detyrë të ndihmojë popullin e Afganistanit.