Sibel Vezaj
26 Shtator 2016•Përditësim: 26 Shtator 2016
PRISHTINË (AA) - Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit u shpreh se çështja e Demarkacionit do të procedohet në seancë, në momentin që Qeveria e sjell atë në Kuvend, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke vënë në dukje se Demarkacioni duhet të kalojë, Veseli theksoi se kjo është në interes strategjik të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ai gjithashtu tha se nuk duhet të dëmtohet perspektiva e së ardhmes euroatlantike e Kosovës dhe shtoi se çdo veprim i cili destabilizon partneritetin me fqinjtë, si me atë të Malit të Zi, cenon edhe sovranitetin dhe sigurinë e vendit.
Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, me rastin e mos futjes së Demarkacionit në rend të ditës, shprehu mendimin se Qeveria ka hequr dorë nga kjo çështje.
Kurse, sa i përket çështjes së largimit të qytetarëve nga banesat e uzurpuara në lagjen “Dardania”, kryeparlamentari Veseli tha se nuk është ithtar i veprimeve policore, sidomos në këto ditë me shi.
Duke vënë në dukje se asnjë uzurpator nuk do të lejohet të qëndrojë në prona të huaja, Veseli shtoi se përveç të së drejtës së pronës ekzistojnë edhe të drejtat universale, veçanërisht ato të fëmijëve. Veseli, duke folur rreth cenimit të të drejtave të njerëzve dhe të fëmijëve në rrethana jo humanitare, tha se dikujt po i pëlqejnë skenat e Sirisë.
Në mbledhjen e sotme Kryesia e Kuvendit vendosi që seanca e radhës së Kuvendit të mbahet të enjten me 29 shtator, kurse në rend të ditës nuk ëshë çështja e demarkacionit me Malin e Zi.