Murat Paksoy,Gülsüm İncekaya
15 Janar 2019•Përditësim: 15 Janar 2019
STAMBOLL (AA) - Mes Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik (D-8) të tetë vendeve në zhvillim dhe Anadolu Agency (AA) u nënshkrua një protokoll bashkëpunimi.
Protokolli u nënshkrua në zyrat e AA-së në Stamboll nga Mustafa Özkaya, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i AA-së dhe sekretari i përgjithshëm i D-8-tës, ambasadori Dato Ku Jaafar Ku Shaari, i cili tha se D-8 u themelua pas propozimit të bërë nga ish kryeministri turk Necmettin Erbakan për mbledhjen nën një çati ekonomike të tetë vendeve në zhvillim dhe se ky vizion duhet të bëjë krenar vendet e D-8-tës.
Duke treguar se AA është një institucion shumë i madh me bazë globale dhe kombëtare, Shaari tha se agjencia turke e lajmeve, e cila ka zyra në shumë vende të botës, bën publikime në shumë gjuhë.
Ai theksoi se janë të vetëdijshëm për faktin se duhet punuar me AA-në.
"Kjo sepse AA nuk është vetëm zëri i Turqisë, por është edhe zëri i botës muslimane në zhvillim. Besojmë gjithashtu që ne duhet të punojmë ngushtë me AA-në", shtoi Shaari.
Në mbledhjen e vitit të kaluar kemi kuptuar që nuk e kemi prezantuar mirë këtë organizim të madh dhe ka shumë aktivitete që D-8 duhet të bëjë, tha më tej Shaari.
Shaari tha se D-8 ka lënë pas 20 vjet dhe tani po përjeton një priudhë ku tashmë ka mbërritur në fazën e zbatimeve.
Duke bërë të ditur se deri në fund të vitit liderët do të mbështesin udhërrëfyesin që përfshin bashkëpunimin në fusha të ndryshme, Shaari tha se kanë nisur të zhvillojnë planet në gjashtë fusha, si ajo e "tregtisë, industrisë, bujqësisë, transportit, energjisë dhe turizmit".
Në fjalën e tij, Shaari shtoi se kanë kryer aktivitete edhe për bashkëpunime të reja në fusha të ndryshme, duke thënë se "Në këtë kontekst, besoj që bashkëpunimi me AA-në është një preferencë e mirë".
"Unë besoj se nëse bashkojmë burimet tona, ne do të bëhemi blloku i tretë më i fortë ekonomik pas Kinës dhe Indisë", tha më tej Shaari, duke i bërë thirrje shteteve anëtare të D-8-tës që të bashkohen.
Ndërkaq, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i AA-së, Mustafa Özkaya, duke theksuar se është një privilegj për ta që të kontribuojnë në organizimin e D-8-tës, tha se në kuadër të këtij protokolli do të kontribuojnë në çdo formë duke bërë publikime rreth të gjitha aktiviteteve dhe punimeve të kësaj organizate.
"Kjo marrëveshje nuk do të qëndrojë në letër", tha Özkaya, duke njoftuar se në kuadër të bashkëpunimit, AA do të raportojë për organizimet e D-8-tës.
D-8 është themeluar me 15 qershor të vitit 1997 nga Turqia, Indonezia, Bangladeshi, Egjipti, Irani, Malajzia, Nigeria dhe Pakistani me propozimin e kryeministrit Necmettin Erbakan, rikujtoi po ashtu Özkaya, duke shtuar se sot Turqia dhe Indonezia, që janë anëtarë të D-8-tës, janë vende të cilat ndodhen në mesin e 20 ekonomive më të mëdha të botës.
Pas fjalimeve, Özkaya dhe Shaari nënshkruan protokollin e bashkëpunimit dhe shkëmbyen dhurata.
Në kuadër të protokollit, AA si Partner Global i Komunikimit i D-8-tës do të ndjekë aktivitetet e D-8-tës dhe do t'i paraqesë për median botërore, duke i përkthyer në të gjitha gjuhët në të cilat vepron. AA do të kontribuojë në zhvillimin e organizatës duke njoftuar përpjekjet e përbashkëta të vendeve anëtare të saj.