Aişe Hümeyra Bulovalı
26 Qershor 2020•Përditësim: 28 Qershor 2020
Juria e konkursit të fotografisë "Istanbul Photo Awards 2020", e organizuar nga Anadolu Agency (AA) për herë të gjashtë këtë vit, ka përfunduar punimet, duke caktuar fituesit e garës.
Një platformë online e vlerësimit për konkursin u përgatit nga ekipi i Teknologjive të Informacionit të AA-së. Juria, e cila bëri vlerësimin e fotografive në këtë platformë, përcaktoi fotografitë fituese pas seancave që zgjatën dy ditë.
Anëtarë të jurisë prestigjioze ishin Yuri Kozyrev, fotoreporter veteran i Agjencisë NOOR me bazë në Holandë; Marion Mertens, redaktor i publikimeve digjitale në revistën Paris Match në Francë; Michel Scotto, drejtor i AFP-së për Shpërndarjen e Fotografive dhe Zhvillimin e Biznesit; Deborah Copaken, fotoreportere amerikane dhe autore; Georges De Keerle, fotoreporter dhe këshilltar për media vizive; Cameron Spencer, fotograf kryesor i sportit në Getty Images; fotoreporteri Ahmet Sel; Hasan Öymez, kryeredaktori i Departamentit të Lajmeve Vizuale i AA-së dhe Fırat Yurdakul, redaktor i fotografive në AA.
Veprat fituese u zgjodhën nga më shumë se 10 mijë fotografi të dërguara nga fotografë nga më shumë se 100 vende të ndryshme në 4 kategori.
Fotografitë fituese, që do të shpallen më 30 qershor, do të jenë në dispozicion në faqen e internetit www.istanbulphotoawards.com.
Anëtarët e jurisë përshëndetën hapat e hedhur për organizimin e konkursit, përkundër rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19.
Michel Scotto përcolli urimet e tij për faktin se organizimi i garës u zhvillua në mënyrë të mirë sikurse çdo vit, edhe pse në kushte të ndryshme këtë vit.
Cameron Spencer deklaroi se seanca, në të cilën kishte lidhje nga gjashtë vende të ndryshme, u organizua dhe menaxhua mirë.
Ndërkaq, Georges De Keerle theksoi se teknologjia e përdorur ishte në nivelin e lartë, kurse Marion Mertens nënvizoi lehtësinë e përdorimit të platformës.
Aplikimet për konkursin, i cili sponsorizohet nga Turkish Airlines, u realizuan midis 1 nëntorit të vitit 2019 dhe 15 shkurtit të vitit 2020.