Merve Özlem Çakır
23 Gusht 2017•Përditësim: 24 Gusht 2017
ANKARA – Turqia po ndjek nga afër "krizën e vezëve" ku në vezët e prodhuara në disa shtete të Evropës është gjetur insekticidi “fipronil”. Pas krizës në fjalë edhe Ministria e Ushqimit, Bujqësisë dhe Blegtorisë ka filluar analizat laboratorike për të gjetur nëse ka apo jo substancë të fipronilit në vezët në Turqi, raporton Anadolu Agnecy (AA).
Sipas informacioneve të marra nga kjo ministri nga gazetari i AA-së, thuhet se janë analizuar mostrat e marra nga rajonet e ndryshme dhe pas analizave të bëra është konstatuar se në vezët e prodhuara në Turqi nuk ka fipronil.
Si rezultat i gjetjes së substancës së dëmshme të fipronilit në vezët e prodhuara në disa shtete të Evropës, fermat ku prodhoheshin vezët në fjalë u mbyllën përkohësisht, kurse vezët u tërhoqën nga raftet e supermarketave.
Sipas legjislacionit të Bashkimit Evropian dhe të Turqisë, fipronili, i cili nuk lejohet të përdoret te kafshët të cilat përdoren për t’u ngrënë, ndërkaq lejohet që të përdoret në kafshët e tjera të cilat nuk kanë vlera ushqimore si antiparazitët, në forma të spërkatjes në lëkurë.
Fipronili është insekticid që përdoret për të vrarë kandrrat në sektorin e pulave, megjithatë Bashkimi Evropian (BE) ka ndaluar përdorimin e tij në kafshët që rriten për konsum njerëzor, siç janë pulat.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka deklaruar se fipronili është "substancë e dëmshme e nivelit të mesëm", që nëse futet në organizëm në sasi të mëdha mund të dëmtojë veshkat, mëlçinë dhe gjëndrat tiroide.