Mustafa Kurt
09 Janar 2017•Përditësim: 10 Janar 2017
ANTALIA (AA) – Moti i ftohtë i cili ka kapluar Evropën dhe një pjesë të madhe të Turqisë nuk ka penguar një grup sportistësh të sërfojnë në Alanya, një destinacion i njohur turistik i Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Enti Meteorologjik lokal tha se temperatura e ajrit ka qenë 14 gradë celsius, ndërsa ajo e ujit 16, dhe se valët e detit kanë qenë të larta deri në katër metra.
Një grup sportistësh nga "Alanya Surf Team" kishte vendosur që detin e trazuar nga valët ta përdorë për sërfim në plazhin Keykubat.
Anëtari i ekipit, Hayri Yenialp, tha se "Alanya Surf Team” është aktiv nga viti 2009. “Këtë vit filluam më herët. Moti dhe era janë të përshtatshme për sërfim. Malet kanë borë, por ne lahemi në det, temperatura e të cilit është 16 gradë. Kemi miq që vijnë nga Alanya, por edhe nga jashtë vendit, kështu ne e kalojmë dimrin”, thotë Yenialp.
Mehmet Ozgen nga ana e tij thotë se dita është e shkëlqyeshme për sërfim, për të shtuar se njëri nga synimet e tyre është të promovojnë dhe të kontribuojnë në turizmin dimëror.
“Sërfojmë bashkë me miqtë nga brenda, por edhe me ata nga jashtë vendit. Valët janë të këndshme dhe kështu ne kontribuojmë në promovimin e turizmit dimëror dhe sërfimit në Alanya. Mendoj se në të ardhmen kjo zonë do të jetë një kontribuuese për zhvillimin e turizmit në Alanya. Në shtetet tjera qendrat për sërfim vizitohen nga mijëra njerëz”, tha Ozgen.