Diyar Güldoğan
20 Dhjetor 2016•Përditësim: 20 Dhjetor 2016
ANKARA (AA) – Është përforcuar siguria në misionet diplomatike të Turqisë në Rusi pas vrasjes së ambasadorit të Rusisë në Ankara, bëri të ditur Ministria e Brendshme e Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Policia ka rritur sigurinë në misionet diplomatike të Turqisë në Federatën Ruse”, citohet të ketë thënë zëdhënësja e ministrisë Irina Volk nga agjencia zyrtare e lajmeve TASS.
Volk tha se Ambasada e Turqisë në Moskë dhe konsullatat në qytetet ruse tani janë nën mbrojtje.
Ambasadori i sapoemëruar turk në Rusi Huseyin Dirioz në Twitter tha se ai ishte "thellësisht" i pikëlluar nga vrasja e djeshme.
"E dënojmë fuqishëm këtë sulm provokues", ka thënë Dirioz, duke shtuar se ambasadori rus Andrey Karlov ishte një person "i jashtëzakonshëm" i cili ndihmonte për të nxitur marrëdhëniet miqësore midis Turqisë dhe Rusisë. Dirioz tha se Turqia nuk do të lejojë që sulmi “i shëmtuar” të hedh në hije miqësinë mes dy kombeve.